Partia Demokratike ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se po vjedh e gllabëron paratë e shqiptarëve përmes aferave korruptive, të cilat i ndan me miqtë e tij. Në një deklaratë për mediat nga selia blu, zëdhënësja e demokratëve Ina Zhupa denoncoi rastin e privatizimit të kompanisë së sigurimeve InSig, fituesit e të cilës, sipas saj, janë të paracaktuar dhe janë pikërisht dy miqtë e kryeministrit Rama, Gon Papuli dhe Gaz Demi.

“Edi Rama tregoi sot me gisht për një orë rresht popullin e tij si hajdut, në një sallë të mbushur me dhunë me punonjës administrate në orar zyrtar, ndërkohë që ai vetë qëndron në krye të bandës që vjedh dhe gllabëron çdo ditë paratë dhe pasuritë e shqiptarëve, – tha zëdhënësja e Partisë Demokratike. – Së fundmi, Edi Rama ka futur në kthetrat e tij edhe një tjetër pasuri publike, për ta ndarë me miqtë dhe klientelën. Kompania e sigurimeve InSig pritet të privatizohet dhe pronarët e rinj janë paracaktuar… Pronarët e rinj të InSig pritet të jenë Gon Papuli dhe Gaz Demi, njëri ndërtues i sarajeve private të Edi Ramës në Dardhë e në Durrës, tjetri me lidhje të forta e së fundmi në ortakëri me Olsi Ramën në biznes. Ky është një skandal, një akt korruptiv, me fitues të paracaktuar, pjesë e mendësisë së Edi Ramës për të marrë e plaçkitur, për të ndarë me miqtë çdo pasuri publike.”