Përmes zëdhënëses së saj Ina Zhupa, Partia Demokratike ka reaguar në lidhje me daljen publike të ministrit Saimir Tahiri, në analizën vjetore të punës së Policisë së Shtetit, duke e akuzuar këtë të fundit për minimin e besimit qytetar përkundrejt uniformave blu. Zëdhënësja Zhupa tha se ministri Tahiri është shkelësi i vërtetë i ligjit, i cili ka përdorur dhe po përdor postin për të favorizuar bandat kriminale mike. “Saimir Tahiri predikoi pa turp sot ligjin, besimin dhe etikën në Polici, tre elementë për të cilat ky ministër duhej të kishte ikur me kohë nga detyra e të ishte përgjigjur para drejtësisë,” – tha Zhupa.
Zëdhënësja e Partisë Demokratike i kujtoi ministrit Tahiri vrasjet e shumta të ndodhura, duke thënë se “një seri ekzekutimesh mafioze kanë ndodhur vetëm në muajin Janar, dhe Tahiri nuk mban asnjë përgjegjësi.” “Ai është ministri më i inkriminuar në Ballkan, dhe sa më shumë qëndron në detyrë, aq më shumë stimulon krimin e trafiqet, dhe minon besimin e publikut tek Policia,” – tha zëdhënësja e Partisë Demokratike.