TIRANE – Pak orë pas heqjes së memorialit të UÇPMB-së nga qendra e Preshevës, Partia Drejtësi, Integrim dhe Untitet dhe Klubi i Patriotëve të Rinj dënojnë ashpër aktin, duke u bërë thirrje autoriteteve shqiptare që të reagojnë dhe t’i kërkojnë llogari ambasadorit të Serbisë në Tiranë lidhur me këtë veprim. 

Sipas PDIU-së, “me këtë veprim, Serbia tregoi dhe një herë që nuk ka hequr dorë nga “doktrina millosheviçiane”, e cila në themel të saj ka dhunimin e shqiptarëve.” 

“Të friksuar nga reagimi i paralajmëruar i shqiptarëve të Luginës së Preshevës por edhe më gjerë, Beogradi dërgoi me qindra forca xhandarmërie, vetëm e vetëm për të hequr një memorial. PDIU dhe KPR i bëjnë thirrje autoriteteve shqiptare që të reagojnë dhe t’i kërkojnë llogari ambasadorit të Serbisë në Tiranë lidhur me këtë veprimi fyes ndaj atyre ushtarëve që dhanë jetën për liri. Është e detyrim kushtetues i Shqipërisë për t’u kujdesur për shqiptarët kudo që ndodhen. Edhe një herë PDIU dhe KPR i bëjnë thirrje Serbisë të shkëputet nga fantazma e Millosheviçit dhe të heqin dorë nga sulmet dhe provokimet ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës.”- thuhet në reagimin e PDIU-së dhe KPR-së