TIRANË- Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka reaguar sot për deklarimin e njëanshëm të kufirit që bëri Greqia në OKB. Sipas PDIU-së Greqia me këtë akt prodhon destabilitet në Ballkan.
“Çështja e kufijve detarë mes Shqipërisë dhe Greqisë nuk zgjidhet nëpërmjet deklaratës së njëanshme të palës greke në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Krejt e kundërta, Greqia agravon situatën me të gjitha vendet e saj fqinje me një akt të tillë duke prodhuar destabilizim në Ballkan. Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ndjek me vëmendje sjelljet e papranueshme të palës greke”, thuhet në deklaratën e PDIU-së.
Ndër të tjera, PDIU i bën thirrje qeverisë shqiptare që të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm diplomatik për të paralajmëruar Greqinë “se një veprim i saj i njëanshëm do të dëmtonte rëndë marrëdhëniet dypalëshe dhe do të detyronte Shqipërinë të kundërpërgjigjej me të njëjtën monedhë”.
Sipas PDIU-së Greqia jo vetëm po bën armiq në gjithë Ballkanin por edhe po vetëizolohet me këtë akt.
“Greqia, po tregon se është në panik, duke krijuar armiq në të gjithë Ballkanin. Me një akt të tillë, shteti grek shkon edhe më tej drejt vetëizolimit, duke u kthyer në vatër të destabilitetit në Ballkan. PDIU i bën thirrje Greqisë që të ulet dhe të dialogojë pa kushte paraprake për zgjidhjen përfundimtare të çështjes çame, zgjidhjen përfudnimtare të çështjes së kufijve detarë dhe të çdo çështje tjetër të hapur mes dy vendeve. Kjo është rruga e vetme për një fqinjësi të mire”, përfundon deklarata.