TIRANË, 05 mars 2013- Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet dhe Klubi i Patriotëve të Rinj në 15 vjetorin e masakrës së Prekazit, vlerëson dhe një herë sakrificën e madhe të familjes Jashari. 



Në një deklaratë për mediat, PDIU dhe Klubi i Patriotëve të Rinj thekson se populli shqiptar duhet të tregojë që sakrifica sublime e familjes Jashari nuk ka qenë e kotë dhe me veprime konkrete të veprojë për të bashkuar Shqipërinë. 

“Edhe pse të rrethuar dhe të sigurt se nuk kishin asnjë mundësi shpëtimi, Adem Jashari me familjen e tij luftuan deri në fund duke mos pranuar dorëzimin. Sot i gjithë kombi shqiptar duhet të frymëzohet nga kjo ditë dhe të çojë deri në fund amanetin e Adem Jasharit, Shqipërinë e bashkuar. Sot i gjithë kombi shqiptar duhet të tregojë që sakrifica sublime e familjes Jashari nuk ka qenë e kotë dhe ne pasardhësit e tyre duhet të çojmë deri në fund luftën e nisur prej tyre. Tani jo më me armë, por me veprime konkrete për të bashkuar Shqipërinë dhe për të thënë me krenari: BAC U KRY”, thuhet në deklaratën e shpërndarë për media.