TIRANE – Pas mosmarrjes së statusit të vendit kandidat Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka reaguar përmes një deklarate për shtyp. Sipas kësaj force politike mosmarrëveshjet e brendshme frenuan rrugën europiane të Shqipërisë.
“Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet shpreh keqardhjen më të madhe që për shkak të kapriçove politike, Shqipëria edhe këtë herë nuk mundi të nisi rrugën e saj zyrtare, për të qenë pjesë e Europës. Me gjithë mbështetjen e dhënë nga faktori ndërkombëtar, janë mosmarrëveshjet e brendshme, ato të cilat kanë frenuar rrugën europiane të Shqipërisë. Ky lajm i keq vjen pikërisht në kohën kur 22 vjet më parë mijëra të rinj shqiptar rrëzuan komunizimin me ëndrrën e madhe për ta parë Shqipërinë si gjithë Europa. Por kjo ëndërr ende nuk po realizohet”,- thuhet në deklaratën e PDIU-së.
PDIU ribën dhe një herë thirrje, për mbledhjen e një tryeze të të gjithë partive politike, për të arritur në një zgjidhje e ngërçit të krijuar.
“Mosplotësimi i 3 kushteve të vendosura nga Bashkimi Europian, solli që Komisioni Europian të heshti për Shqipërinë duke e lënë “topin në fushën tonë”. Tashmë na takon ne, si përfaqësues të zgjedhur të popullit, që të tregojmë se mbi gjithçka tjetër, duhet të vendosim Shqipërinë dhe të ardhmen e saj. Si 100 vite më parë, duhet t’i tregojmë të gjithë kombit tonë dhe botës se ky vend ka njerëz të aftë që mendojnë dhe punojnë për të mirën e këtij vendi. Le të shërbejnë si frymëzim për të gjithë vargjet e të madhit Pashko Vasa se: “për ne shqiptarët dielli lind andej nga perëndon”, për të treguar dhe një herë lidhjen shpirtërore dhe historike me Europën, jo vetëm atë gjeografike”,- përfundon deklarata.