TIRANE – Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet përshëndet vendimin e qeverisë për fillimin e funksionimit të Komitetit Shtetëror të Diasporës, një kërkesë kjo e vazhdueshme e PDIU-së dhe një ndër objektivat themelore të programit të kësaj partie.
Përmes një deklarate të shpërndarë për mediat, PDIU nënvizon se përmes këtij komisioni do të përballohet “problematika e diasporës, përfshirja e kontributeve të saj në aksionin tonë kombëtar, në frymëmarrjen tonë kombëtare, nuk është diçka partiake, por mbipartiake ashtu siç është kombi.”
“Partia jonë është parti kombëtariste që beson se e ardhmja e kombit, interesat kombëtare mbrohen nga njëmendësia kombëtare, dmth nga reagimi si një i vetëm i tërë kombit, pavarësisht shpërhapjes së detyruar të pjesëve të tij nëpër hapësirën globale. Më shumë shqiptarë jetojnë jashtë sesa brenda dhe si e ka treguar historia jonë e afërt dhe e re, siç e ka treguar historia e vendeve me diasporë të madhe, kjo pjesë e kombit ka luajtur rol kyç në rilindjen, rimëkëmbjen e vendit. Kombi shqiptar nuk e ka luksin të mohojë ekzistencën e një pjese kaq të madhe të trupit të vet të gjymtuar kombëtar.” – thuhet në deklaratën e PDIU.
Sipas PDIU-së, problematika e diasporës është dhe problematika e kombit.
“Brenda kësaj diaspore, popullsia me origjinë çame jashtë vendit është një përbërëse mjaft aktive dhe problematika e saj duhet trajtuar me synim vendosjen e drejtësisë dhe përfshirjen e kontributeve të saj.”- thekson PDIU.