6 dhjetor 2013- PDIU ka vlerësuar me anë të një njoftimi për shtyp propozimin e ministrisë së Jashtme të  Leonard Demit, si ambasador i Shqipërisë në NATO, duke e cilësuar si bir i komunitetit çam.  Ky vendim sipas PDIU-së, parti parlamentare, që përfaqëson interesin kombëtar, në veçanti mbron zgjidhjen e çështjes çame,  është shumë i qëlluar për disa arsye.

"Zoti Demi, bir i komunitetit tonë, i një familjeje nga më të shquarat e këtij komuniteti, është një veprimtar politik që me ndershmëri i ka shërbyer vazhdimisht shtetit dhe vetëm shtetit. Pavarësisht militimit të tij brenda PD-së, ai ka ditur gjithmonë në momentet më të veçanta të tregojë integritet dhe të mbrojë interesin kombëtar, interesat e NATO-s, dhe të partnerëve tanë, interesa që janë në themel të Aleancës sonë me perëndimin.

Ne jemi shumë të lumtur që një qeverisje e qendrës së majtë, propozon për ambasador pikërisht një figurë si ajo e Leonard Demit që zotëron këto cilësi. Ne besojmë se Presidenti i Republikës do ta dekretojë pa hezitim emrin e tij, duke krijuar kështu shanset e përfaqësimit dinjitoz të Shqipërisë nëpërmjet një figure me profil të lartë institucional, njerëzor si ajo e Leonard Demit. Ne jemi të bindur se ai do ta kryejë detyrën me nder dhe përkushtim si bartës i vlerave më të mira të familjes dhe komunitetit ku ai bën pjesë, komunitetit çam", thuhet në deklaratën e PDIU-së.