Krenar LASKO, Kryetari i PDIU Qarku Durrës*

Partia PDIU hyn në këto zgjedhje me një strukturë elektorale të konsoliduar, me një organizim të ri, ku baza dhe çelësi i suksesit është bashkëpunimi, mirëkuptimi, toleranca, patriotizmi dhe mbështetja Juaj. Ndrojtja ime e ditëve të para kur nisëm këtë organizim, tashmë është konvertuar në optimizëm maksimal, në besim të palëkundur e të padiskutueshëm se edhe Durrësi ka energji e resurse brenda çdonjërit prej nesh, që me votën e tij të flasë me gjuhën e qarkut Elbasanit, Fierit, Vlorës e Tiranës.

Sepse durrsakët nuk janë as më pak patriotë e as të përgjumur.

Gatishmëria e të gjithë atyre që kam takuar këto ditë deri më sot, për të qenë në unitet me kauzën tonë, ëndrrën tonë shpirtërore; përkrahja e dashamirësve, patriotëve e miqve tanë, më ka mbushur me energji pozitive qe fjalën “s’bëhet” t’a heqim nga fjalori PDIU-së Durrës e në vend të saj të skalitim aforizmin: “Ne bëhemi”!

Ne bëhemi bashkë për njëri-tjetrin!

Ne bëhemi bashkë për amanetin e të parëve tanë!

Ne bëhemi bashkë për prindërit, gjyshet dhe gjyshërit tanë!

Ne bëhemi bashkë për motrat dhe vëllezërit tanë!

Ne bëhemi bashkë për fëmijët e të ardhmen e tyre!

Ne bëhemi bashkë për komunitetin ku jetojmë, për Shqipërinë Evropiane!

Shumica në këtë sallë dhe atyre që sot nuk ndodhen këtu, kanë të njëjtin këndvështrim dhe ndajnë të njëjtin opinion me ne.

Dhe s’ka si të jetë ndryshe. Unë kam bindjen që fitorja e PDIU-së është e pashmangshme, sepse i pashmangshëm eshte qëllimi ynë, ndjenja jone kombëtare, dashuria jonë shekullore për dinjitetin, identitetin, krenarinë, parimet dhe moralin tonë jo pak të nëpërkëmbur këto 70 vjet.

Unë e di mirë që të drejtat tona, të ardhmen tonë nuk mund t’a kërkojmë nga thashethemet e kafeneve, duke përfolur dhe marrë nëpër gojë njëri-tjetrin, e as duke u strukur nën hijen e partive të tjera që deri më sot na kanë dhuruar vetëm harrimin, ndoshta edhe përbuzjen, apo dikujt ndonjë vlerësim sarkazmik: – “Burrë i mirë ky, por është çam”.

Nuk bëj apologji kur them: – E drejta, e ardhmja, dhe vlerësimi nuk gjenden te komshiu por tek shtëpia jote. Sot ne kemi shtëpinë tonë të madhe, të përbashkët që nxorri e shkundi nga pluhuri i harresës rezolutën Çame: Që ngriti kultin çam në Prishtinë, në Tiranë, në të gjithë Shqipërinë, në Diasporë e më gjerë; Që nxori demonin nga Kuvendi i Shqipërisë, që ndaloi censusin famëkeq të Kombit; Që diti të mbrojë ujërat tona territoriale; Që futi bijtë e tij në parlamentin Shqiptar, ku nuk ulej asnjë prej nesh; Që punësoi e çoi të ardhura tek qindra familje çame; Që sot na bën krenar të ndjehemi “çamë”.

Në këto arritje një kontribut e rol vendimtar ka edhe kryetari i kësaj Partie zoti Shpëtim Idrizi, kontribut i cili nuk vjen thjesht nga te qenit kryetar, por veçanërisht nga vlerat dhe cilësitë e spikatura si politikan modern, largpamës, i guximshëm dhe me vizion të qartë për të sotmen e për të ardhmen.

Realisht në takimet tona të përditshme ndodh që të ndeshim edhe skeptikë, të cilët aludojnë pozicionimin tonë. Në fakt, siç ndodh në familje që del një plëngprishës, ashtu ndodh edhe në parti, komunitet e shoqëri. Qëllon të na thonë edhe “Renegat”! Këtu dua të bëj një vështrim në retrospektivë për këta agnosticistë e anakronikë.

Etërit tanë u dëbuan, u masakruan, u shpërfytyruan, u vranë se “faji” i tyre i vetëm ishte sepse ishin shqiptarë, sepse besonin në Zotin e tyre, sepse ishin më të paket në numër në shtetin ku jetonin.

Pikërisht ata që nuk përkrahën “Censusin” e shekullit të kaluar, ata që nuk u tulatën para tutorit, ata që nuk tradhtuan besimin në Zotin e tyre, ata që ruajtën dinjitetin, identitetin, flamurin e tyre kombëtar, pikërisht ata u prenë, u vranë e u dëbuan. Ne bijtë e tyre që ngrejmë zërin nga foltorja jonë, nga shtëpia jonë e madhe për gjakun e tyre, për ëndrra e jetë të prera në mes, Ne që kërkojmë të na kthehet dinjiteti, autoriteti i identitetit, Ne që e duam kombin të bashkuar, pa dallim feje e krahine, Ne që dimë të jemi në pushtet për të kërkuar e lartësuar të drejtat tona, Ne që dimë t’a ndajmë atë, per te punësuar e për të sjellë të mira sociale, ekonomike e politike në familjet tona,

Ne që dimë t’u krijojme të ardhme të rinjve tanë. Sot këta anakronikë e ndonjë tjetër injorant i historisë na thonë të pabesë, renegatë e tradhtar. Por unë dua t’i pyes:

– Kë tradhtuam vallë?

– Ne nuk jemi parti e majtë apo e djathtë.

– Ne jemi parti kombtariste ku çështjen tonë e çështjet kombëtare i zgjidhim në tryezë me dialog.

Problemet nuk zgjidhen pas dere, me ideologji komformiste, por në tryezën e madhe të përbashkët ku qeverisen fatet tona e ndahen prioritetet parimore, kulturore, politike, kombëtare.

Rreth gjysmë shekulli u ndoqëm nga shovinistët e zervistët; 45 vjet u nëpërkëmbëm, u përbuzëm e u tradhtuam nga komunistët e enveristët; 25 vjet u harruam nga anarshistët.

Sot kemi strehën tonë, foltoren tonë nga ku mund të kërkojmë të drejtat tona të mohuara më shumë se prej një shekulli, e jo vetëm të komunitetit por të mbarë kombit.

Kë tradhtuam vallë???!!!

Më kujtohet, pleqve tanë u dridhej buza kur kujtonim Çamërinë, syri u pikonte lot e zemra u pikonte gjak.

Sot kemi mundësinë të përkëdhelin, ëndrrën e tyre, amanetin e tyre. Sot kemi mundësinë të themi se ne bijtë e tyre jemi në krye të legjislativit e ekzekutivit shqiptar që të flasim me “gjuhën” e tyre, me patosin e tyre; e të qeverisim veten, Shqipërinë, Atdheun.

Pra, vëllezër e motra, ne nuk kemi tradhtuar askënd. Por ne na kanë tradhtuar e na tradhtojnë kush harron lotin e gjyshërve, amanetin, historinë.

– Ne s’kemi vrarë askënd, por na kanë vrarë e përndjekur.

– Ne s’kemi përbuzur askënd, por na kanë përbuzur e injoruar

– Ne s’kemi prere ne besë askënd, por na kanë prerë e na presin në besë ata që fyejnë e tallen me fatkeqësinë e gjenocidin tonë unik.

– Ne nuk kemi mohuar e përçarë për asnjë çast kauzën tonë. Përkundrazi, e kemi mbrojtur me fanatizëm nga individë e grupe subversive që kanë tentuar të destabilizojnë stoicizmin tonë.

S’mjaftojnë komentet dashakeqe, antikombëtare e të shëmtuara nga ata që nuk na kanë dashur, nuk na duan e nuk kane për të na dashur ndonjëherë të mirën, por fatkeqësisht kemi edhe mes nesh sharlatanë e surrealist.

Kësaj i thonë “mirë kali që na ngordhi por s’të lënë as mizat rehat”!

Ndaj jo vetëm në këto zgjedhje, por në vazhdimësi ne duhet të bashkohemi të jemi në unitet që t’i zgjidhim vete hallet dhe problemet qe nuk i kemi të pakta.

Mënyra e vetme që të bëhemi faktori i fateve tona është sistemi kapilar apo i quajtur ndryshe reaksioni zinxhir, ku hallkë pas hallke të shtrengojmë e ruajmë njëri-tjetrin, të ngjitemi dhe zbresim brenda llojit duke paralelizuar jo vetëm ndasitë, mpleksjet farefisnore e miqësore por edhe interesat e ndërsjellta reciproke.

Kjo, finalizohet vetëm me votat tona.

Dhe ska asnjë mënyrë tjetër.

Objektivi ynë është të dalim në këto zgjedhje me një numër të konsiderueshëm këshilltarësh, të cilët me përkushtimin, formimin e tyre profesional dashurinë për qytetin do dinë të luajnë me dinjitet rolin e duhur që Durrësi të bëhet gjithmonë e më i bukur, më social.

Të kapërcejmë distancat që na ndajnë nga Europa.

Në Durrës marrëveshja dhe interesat Tona janë të lidhura me kryetarin aktual të Bashkisë, z.DAKO. Ftoj të gjithë zgjedhësit tanë të votojnë si alternative të vetme kandidatin e e Aleancës për Shqipërinë Europiane, i cili është në drejtimin e duhur, njëkohësisht mik e mbështetës i komunitetit tonë.

 

 

*Fjala e mbajtur në takimin e hapjes së fushatës në Durrës