TIRANË – Amendamentet e propozuara nga PDIU dhe të miratuara nga Kuvendi i Shqipërisë në ligjin për censusin ia arritën të shmangin skenarët e Athinës për nxjerrjen e të dhënave të rreme mbi kombësinë në Shqipëri.
Kështu është shprehur PDIU nëpërmjet një deklarate, ku falenderon të gjithë qytetarët shqiptarë, që iu përgjigjën thirrjes së saj për ta deklaruar veten ashtu siç janë, shqiptarë. “Verifikimi i abuzimeve të mundshme, pra ballafaqimi i të dhënave të censusit me regjistrin e gjendjes civile, që ishte detyrim ligjor nga INSTAT, falë amendamenteve të PDIU ia doli të bllokojë tentativat e qarqeve antishqiptare.
Amendamentet e propozuara nga Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet dhe të miratuara nga Kuvendi i Shqipërisë detyruan INSTAT-in, që jo vetëm të hetonte çdo deklaratë për kombësinë, por edhe t’i ballafaqonte ato me regjistrin për gjendjen civile. Kështu, nëse dikush gënjente për kombësinë e tij, në pyetësor, jo vetëm që ai do të dënohej me gjobën 100 mijë lekë të reja, por INSTAT do të ishte i detyruar që të përfshinte në statistikat zyrtare të dhënat e sakta, pra ato që gjenden në regjistrin kombëtar të gjendjes civile”,- thuhet në deklaratë.