12 gusht 2013- Përmes një deklarate për mediat, PDIU ka reaguar me forcë ndaj mungesës së policisë për pjesëmarrjen e përfaqësuesve të partisë neonaziste “Agimi i Artë” në jug të vendit. PDIU është shprehur se policia shqiptare nuk mund të rrijë e heshtur para pretendimeve territoriale të një organizate fashiste në truallin tonë, pretendime që u lëshuan duke dhunuar një mjedis të shenjtë si varreza.“Nuk ka asnjë pretekst legal në këtë vetëpërmbajtje të policisë sonë. Këta njerëz, që ishin në pozitën e veprimtarit politik siç e tregonin veten me veshjen e tyre të zezë, nuk po kryenin ndonjë shërbesë fetare, por po zhvillonin veprimtari antishtetërore në një mjedis të shenjtë si varreza. Autoritetet policore duhet t’i përmbaheshin një vendimi të mëhershëm të ministrit të jashtëm të Shqipërisë për ta shpallur non grata kryetarin e kësaj Lëvizjeje.E gjithë kjo organizatë duhet ndaluar së vepruari në territorin shqiptar. Shteti shqiptar vazhdon të funksionojë dhe duhet të funksionojë me forcë dhe në periudhën e tranzicionit të pushtetit politik. Në një mënyrë tërësisht burracake, njëra nga organizatat më të turpshme dhe më të rrezikshme në Evropën e Bashkuar, “Agimi i Artë”, u shfaq në një ceremoni përkujtimore vdekjeje të një shtetasi shqiptar.Të udhëhequr nga sharlatanë, shitës flamujsh dhe banditë të tjerë, kjo organizatë u përpoq të shfaqte gjoja nacionalizmin e vet në Himarën tonë, një vatër e rëndësishme urbane që dëshmon vazhdimësinë e kombit shqiptar në të gjithë kohërat”, ” thekson PDIU në deklaratën e saj për mediat.
/Sot News/





