TIRANE, 31 mars 2013– Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet uron të gjithë besimtarët katolikë dhe protestantë shqiptarë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Diasporë, sikurse dhe të gjithë besimtarët anembanë botës, Gëzuar Pashkët.
Në një deklaratët për shtyp, PDIU thekson se simbolika e kësaj dite, është një simbolikë që duhet të na udhëheqë të gjithëve gjatë jetës sonë pasi mesazhi i paqes, harmonisë dhe veprimit në të mirë të të tjerëve është një mesazh që nuk njeh kufij.
“Partia Drejtësi dhe Unitet dëshiron të urojë të gjithë besimtarët katolikë dhe protestantë por edhe të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen për më shumë paqe, mirësi dhe dashuri, simbole këto të ditëve të shenjta. Në këtë ditë feste, rikujtojmë me admirim punën atdhetare të asaj pjese të klerit katolik dhe protestant që dhanë gjithçka për atdheun. Përkujtojmë me respekt dhe përulje punën e palodhur të rilindasve të mëdhenj si Imzot Nikollë Kaçorit, të Imzot Gjergj Fishtës, të Imzot Jak Sereqit, të Imzot Luigj Bumçit dhe të figurave të tjera të larta atdhetare të klerit katolik. Gjithashtu, përkujtojmë me respekt dhe përulje, punën e palodhur të figurave të ndritura si Gjerasim Qirjazi, Sevasti dhe Parashqevi Qirjazi, Grigor Cilka, Gjergj Qirjazi dhe figurave të tjera kombëtare protestante shqiptare” thuhet në deklaratë.
Më tej PDIU thekson se paqja dhe mirësia, dy virtytet që simbolizojnë ditët e shenjta, janë ajo çka i nevojitet sot më shumë se kurrë kombit shqiptar dhe mbarë qytetarëve.





