TIRANE – Pas deklaratës së kryeministrit Berisha se Xhamia e Madhe e Tiranës pritet të nisë të ndërtohet në muajin mars, kryetari i PDIU-së Shpëtim Idrizi i ka bërë sot thirrje qeverisë dhe Bashkisë së Tiranës që të përshpejtojnë procedurat për dhënien e lejes për ndërtimin e xhamisë. 

“Kryeministri dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës kanë bërë disa herë prononcime publike për dhënien e lejes për këtë xhami, një e drejtë legjitime kjo që i është mohuar për 20 vite me radhë komunitetit më të madh fetar në vend. Ajo që Komuniteti Mysliman Shqiptar kërkon me të drejtë është një leje për një objekt kulti që është zvarritur për një kohë tejet të gjatë.”- deklaroi Idrizi. 

Sipas tij, PDIU do të kërkojë me forcë nëpërmjet këshilltarëve të saj në këshillin e Bashkisë së Tiranës që kësaj çështje t’i jepet një zgjidhje sa më e shpejtë. Në rast të problemeve me tokën ku do të ndërtohet Xhamia, PDIU propozon që Komunitetit Mysliman t’i jepet pronë shtetërore si kompensim të qindra pronave që ende nuk i janë kthyer. 

“PDIU beson se këtij komuniteti i takon të ketë një xhami të madhe dhe dinjitoze në Tiranë duke qenë se më shumë se gjysma e besimtarëve shpesh detyrohen të falen jashtë, në qiell të hapur dhe në shi. Faktikisht shumë institucione publike sot janë të ndërtuara në troje që i përkasin këtij komuniteti dhe për këto prona nuk është dhënë asnjë lloj kompensimi deri më tani. PDIU është e bindur që ndërtimi sa më shpejt i kësaj xhamie është një akt në drejtimin e duhur për të forcuar një nga vlerat më të mëdha të kombit tonë, harmonisë fetare.”- nënvizoi Idrizi. 

Një ditë më parë kryeministri Berisha garantoi kreun e Komunitetit Mysliman në Shqipëri, Selim Muça, se do të marrë të gjitha masat dhe do të japë të gjithë mbështetjen që punimet për xhaminë e re të fillojnë në muajin mars. 

Përfaqësuesit më të lartë të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë kanë zhvilluar disa takime në lidhje me projektin e xhamisë së madhe, e cila do të ndërtohet te sheshi i Namazgjasë. Këto takime sipas drejtorit të Marrëdhënieve me Publikun në KMSH, Agron Hoxha janë zhvilluar për përcaktimin e gjurmës përfundimtare se ku do të ndërtohet xhamia e Namazgjasë. Duke qenë se prona prej rreth 5700 m2, që KMSH ka në pronësi në këtë zonë, është në formë 'L'-je, ata kanë nisur diskutimet me pronarët e tokës që janë në kufi me ta, për të parë një mundësi që toka e tyre të shfrytëzohet për ndërtimin e xhamisë, duke qenë se për këtë objekt fetar duhet të respektohen disa norma, siç është drejtimi i saj, i cili duhet të jetë nga jug-lindja, në drejtim të Mekës. "Ditën e enjte do të përcaktohet përfundimisht ku do të marrim edhe një përgjigje përfundimtare nga pronarët e tokës, nëse do kemi një marrëveshje. Në të kundërt do vijojmë projektimin e xhamisë, në atë formë që ka trualli që KMSH ka në pronësi", – deklaroi Hoxha.