STRASBURG – Komiteti për Politikë të Jashtme i Parlamentit Europian me shumicë votash ka miratuar një rezolutë për Kosovën e Serbinë. Me miratimin e saj Kosovës i është hapur rruga e marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit mes BE dhe Kosovës.
Në dokumentin për Kosovën të paraqitur nga eurodeputeja Urlike Lunaçek para Komitetit për Politikë të Jashtme të PE-së, thuhet se Bashkimi Evropian mund të lidhë Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Kosovën, edhe pse pesë vende të BE-së nuk e kanë njohur pavarësinë e saj.
Eurodeputetja deklaroi se nuk mund të pranohet ndarja e Kosovës.
Projekt-rezoluta po ashtu u bën thirrje pesë anëtareve europiane që të pranojnë shtetin e ri.
Ndërkaq, dokumenti për Serbinë kërkon që këtij shteti t’i jepet sa më parë data e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, me kusht që Beogradi të plotësojë kushtet themelore dhe të vazhdojë procesin e reformave.
Njëri nga kushtet e BE-së për Serbinë, është Kosova. Autoritetet evropiane u kanë vënë kusht atyre serbe normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, nëse duan të avancojnë në procesin e integrimit.