12 dhjetor 2013- Është miratuar ditën e sotme nga Parlamenti Evropian raporti i Përvitshëm mbi perspektivën e Shqipërisë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Eurodeputetët kanë miratuar edhe rezolutën e prioriteteve të samitit të ardhshëm të liderëve të BE-së. Pas miratimit të këtij raporti nga eurodeputetët, hapi i fundit për marrjen e statusit kandidat nga Shqipëria mbetet vendimi i Këshillit të BE-së që pritet të merret me 17 dhjetor, por një sinjal negativ vjen nga Holanda.

Gjatë një debati në Parlamentin holandez për dhënien e statusit të vendit kandidat Shqipërisë, ministri i Punëve të Jashtme, Frans Timmermans, tha se është në kërkim të vendeve të tjera evropiane që do të dilnin kundër dhënies së statusit të vendit kandidat për Shqipërinë. Timmermans u shpreh se vendi ka përmbushur kushtet politike, por këto ende nuk janë zbatuar plotësisht. “Ky është qëndrimi i qeverisë holandeze. Për këtë temë qëndrimi i Holandës nuk është i vetëm para Këshillit. Në dijeninë time edhe disa vende të tjera kanë të njëjtin qëndrim si ne, pra duam t'ua japim statusin, po jo tani. Na nevojitet një kohë e caktuar për të vlerësuar ecurinë, për të vlerësuar premtimet që do të zbatohen, pra, po e shtyjmë statusin. Këtë qëndrim mund ta paraqes para Këshillit në dhjetor”, u shpreh Timmermans.

Ndërkohë Rezoluta e Parlamentit Evropian vlerëson se, partitë politike dhe shoqëria shqiptare duhet të përmirësojnë frymën e dialogut dhe kompromisit. Gjithashtu theksohet se, korrupsioni dhe pandëshkueshmëria mbizotërojnë në Shqipëri dhe nënvizohet nevoja për reformat e sundimit të ligjit, luftës ndaj krimit të organizuar, korrupsionit të të gjitha niveleve, trafikut të drogës, armëve dhe qenieve njerëzore.