STRASBURG- Shqipëria mund të marrë statusin kandidat, por nëse përmbush kushtet e përcaktuara. Ky është qëndrimi i deputetëve të Parlamentit Europian, të cilët miratuan rezolutën e hartuar nga eurodeputeti Nikolas Chountis ku bëhet thirrje për përmbushjen e tre reformave kyçe në gjyqësor, administratë publike dhe për funksionimin e parlamentit. Ndërkohë u vu theksi edhe tek retorikat nacionaliste të ditëve të fundit. 

Deputetët vlerësuan se dialogu politik ka qënë një faktor i rëndësishëm në arritjen e progresit për përmbushjen e 12 prioriteteve kyçe të KE-së, por theksuan se duhet përmirësuar roli mbikqyrës i parlamentit.

Eurodeputetët theksuan se zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm do të jenë një test i rëndësishem maturie për demokracinë shqiptare dhe i bënë thirrje të gjitha partive politike të tregojnë angazhimin për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Sipas eurodeputetëve këto zgjedhje do të testojnë edhe aftësinë e të gjitha forcave politike për t’u inkuadruar në një axhendë të përbashkët europiane për vendin. 

"Ne e kemi bërë të qartë se çfarë duhet të bëjë Shqipëria që të vazhdojë progresin në rrugën e integrimit Europian. Kushtet janë ende aty prandaj duhet të vazhdojmë të inkurajojmë miqtë shqiptarë në qeveri dhe në opozitë që të fokusohen mbi procesin e integrimit europian",- theksohet në rezolutë. 

Eurodeputetët u shprehën të shqetësuar për progresin e ngadaltë të Shqipërisë në reformën në gjyqësor e cila duhet të jetë një proces i pakthyeshëm.