TIRANE, 27 nentor 2013 –Eurodeputetët e kanë cilësuar shenjë të pjekurisë politike, refuzimin që Shqipëria i bëri armëve kimike të Sirisë megjithë këmbënguljen e qeverisë amerikane. Qëndrimi i tyre u shpreh gjatë diskutimeve në Komitetin e Jashtëm të Parlamentit Europian ku u disktua project-rezoluta për Shqipërinë, në të cilën u vërejtjen sukseset por edhe problemet e vendit tonë, teksa u theksua fakti se tashmë Shqipëria e meriton statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian. Projekt-rezoluta për Shqipërinë, u përpilua nga raportuesi kroat, Nikola Vuljaniç, i cili u përgëzua nga kolegët e tij pasi për herë të parë raporti për Shqipërinë u paraqit në kohën e duhur, njësoj me vendet e tjera të rajonit. 

"Për mua ka dy qëllime, së pari për të ndihmuar vendin, duke mbështetur raport-progresin e Komisionit e duke ofruar arsye shtesë ndaj Këshillit për t'i dhënë Shqipërisë statusin kandidat. Arsyeja tjetër është stabiliteti rajonal e forcimi i pozicionit e politikës së Unionit që thotë se arritjet duhen respektuar e shpërblyer në rrugën e integrimit. E nuk ka dyshime për arritjet, pjekuria politike u dëshmua me refuzimin e shkatërrimit të armëve kimike siriane në Shqipëri. Me gjithë insistimin e SHBA-ve, qeveria shqiptare dëgjoi popullin", – u shpreh Nikola Vuljaniç, raportues për Shqipërinë në PE. 

Ndërsa Këshillit i sugjerohet të shmangë "vonesa të panevojshme" për dhënien e statusit kandidat në dhjetor, Tiranës i kërkohet dialog politik dhe reforma të qëndrueshme për të siguruar pavarësinë e institucioneve, gjyqësorit, administratës e medias, krahas luftës kundër korrupsionit, krimit e trafiqeve. "Në i bëjmë thirrje Këshillit të njoh progresin e vendit dhe t'i japë statusin kandidat pa vonesë të panevojshme. Por duhet kuptuar gjithashtu me këtë raport se progresi i arritur kërkon më tepër konsolidim e zbatim dhe për reformat e mbetura duhet përshpejtuar miratimi", – u shpreh kreu i delegacionit të PE për Europën Juglindore, Eduard Kukan. Kurse eurodeputeti gjerman, Knut Fleckenstein, theksoi mes të tjerash se "ajo që është më e rëndësishmja për këtë komitet, kur këtu kemi eurodeputetë gjermanë e hollandezë, është të dërgojmë mesazhe të qarta ndaj qeverive tona, se ne kemi mbërritur në pikën që mbështesim statusin kandidat dhe se Shqipëria e meriton këtë, shqipëtarët e kanë fituar këtë. Nëse bëjmë hap mbrapa, e kemi parë të ndodhë me serbët, ne do të humbisnim besimin e i dimë pasojat që do të kishim atje. Ndaj duhet të jemi shumë të bindës ndaj qeverive të vendeve tona, zoti Posselt mund të më bashkohet, për të treguar se gjërat po shkojnë mirë", – u shpreh ai. Projektrezoluta për Shqipërinë përmbledh në 4 faqe zhvillimet politike, situatën e përkeqësuar ekonomike dhe shqetësimet mbi të drejtat e njeriut, përfshirë minoritetet e çështjen e pronave. Ndërkohë, pranë sekretariatit janë grumbulluar 122 amendamente nga eurodeputetët, si dhe një amendament oral kompromisi mes grupeve politike kryesore, propozuar nga Cornelissen, në të cilin i kërkohet Tiranës të veprojë pa vonesë ndaj fenomenit të gjakmarrjes. "Gjakmarrja është disi e rëndësishme në Shqipëri. Janë të paktën 10 mijë familje të prekura. 

Numri i viktimave të gjakmarrjes është rritur vitet e fundit, regjistrohen të paktën në 150 veta në vit. Shumë fëmijë djem janë të detyruar të rrinë brenda shtëpisë e të mos shkojnë në shkollë e të mos luajnë jashtë. Ka një makineri shteti për këtë, një komitet i ngritur prej 2005, ka një ligj, por në terren asgjë nuk ka ndryshuar dhe problemi qëndron tek përkeqësimi, në vend që të përmirësohet", – tha eurodeputetja holandeze, Marije Cornelissen. Votimi i rezolutës për Shqipërinë pritet të votohet nga Komiteti i Jashtëm më 5 Dhjetor, për t'u miratuar në seancë plenare 10 ditë përpara dhënies së vendimit nga Këshilli i BE-së. 

/GazetaShqiptare/