Durrsaku Aleksandër Kokomani, specialist në politikën e jashtme (ka mbaruar akademinë diplomatike të OKB-së), me master jashtë shtetit në marrëdhëniet ndërkombëtare; doktor në ekonomi ndërkombëtare dhe diplomaci ekonomike; ish-pedagog në universitetin italian të Shën Peterburgut; me botime në revistat e huaja të specializuara, nuk pranohet për të dhënë mësim në UAMD
DURRËS, 7 tetor 2013 – Universiteti publik “Aleksandër Moisiu” Durrës (UAMD), që njihet ndryshe si seksion i PD-së së Durrësit, ku anëtarë janë drejtuesit dhe mësimdhënësit, ka hapur dhe një vend pune të ri, pasi punësoi mbi 200 militantë pas zgjedhjeve të 23 qershorit. Edhe për “konkursin” që do të zhvillohet pas datës 20 tetor 2013, për kancelar në fakultet, kusht kryesor është “eksperiencë pune së paku 5-vjeçare në administratën shtetërore”, ku rekrutimi gjatë 8 vjetëve, është kryer mbi bazën e besnikërisë ndaj partisë në pushtet. Nuk duhet të jesh personalitet që vjen nga bota e biznesit apo nga ajo akademike jashtë shtetit. Besnikët e PD-së merren në punë dhe në Tiranë, por jo durrsakët pa parti. Kështu, para 5 ditësh, durrsaku Aleksandër Kokomani, specialist në politikën e jashtme dhe diplomaci (mbaruar akademinë diplomatike të OKB-së), me master jashtë shtetit në marrëdhëniet ndërkombëtare; doktor në ekonomi ndërkombëtare dhe diplomaci ekonomike; ish-pedagog në universitetin italian të Shën Peterburgut; me botime në revistat e huaja të specializuara, nuk pranohet për të dhënë mësim në UAMD. Po të kishte teserë të PD-së ose një rekomandim nga selia blu, dr. Kokomani do të ishte pranuar në stafin akademik dhe pa gradën e doktorit. Nuk dihet nëse verifikimin e biografisë e bën një ish-oficer sigurimi dhe ish-shef SHIK-u në vitin 1997 në Durrës, por përfaqësues i PD-së në këshillin bashkiak të qytetit bregdetar. Por dihet se rrogëtarët e UAMD-së, ku punon shikasi, kanë të njëjtën bankë me shërbimin sekret shqiptar.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





