Pedagogët e universitetit të Durrësit i janë përgjigjur pozitivisht ftesës së bërë nga Këshilli Studentor një ditë më parë, për t’i mbështur ata publikisht në lidhje me protestën.
Faqja “Studentët aktivë të UAMD-së”, ka publikuar deklaratën e firmosur nga stafi akademik i Fakultetit të Shkencave Politike, Juridike, duke u pozicionuar kështu në krah të studentëve të cilët prej muajit dhjetor kërkojnë plotësimin e 8 kërkesave të tyre si dhe rrëzimin e Arsimit të Lartë.
Në deklaratën me tre pika thuhet se:
1. Mbështesim plotësisht kërkesat e studentëve dhe lirinë e tyre, për të protestuar, duke garantuar mbështetje të plotë dhe gadishmërinë për t’ju mundësuar studentëve zhvillimin e leksioneve në një moment të përshtatshëm për ta.
* Shfyqizim i ligjit për “Arsimin e lartë” si dhe aktet nënligjore të dala në zbatim tij, në përputhje dhe në koherencë të plotë me qëndrimet e mbajtura nga ky staf akademik gjatë fazës së diskutimit të projekt-ligjit.
2. Kundërshtojmë aktet nënligjore të miratuara nga Këshilli i Ministrave që janë në kundërshtim me parimin e autonomisë universitare dhe lirisë akademike, si dhe të mungesës së konsultës me grupet e interesit. Çdo akt ligjor apo nënligjor në fushën e arsimit universitar duhet të kosnultohet paraprakisht me grupet e interesit, veçanërisht projekt-ligji për “Kodin e Sjelljes për Integritetin në Kërkim Shkencor në Republikën e Shqipërisë”.
3. Dënojmë çdo deklaratë që ka për synim cënimin dhe denigrimin e figurës së pedagogut.





