Ditën e sotme pedagogët kanë mbajtur protestën e paralajmëruar më herët ku kanë paralajmëruar se në rastin e mos-marrjes së masave për rritjen e pagave të tyre, do të bojkotonin nisjen e vitit akademik.

Ata kërkojnë që qeveria t’i përfshijë në paketën e ndihmës për të përballuar çmimet e rritura si pasojë e krizës.

Kryetari i Sindikatës së punonjësve të universiteteve të Shqipërisë, Sandër Kovaçi bëri të qartë se kërkesat e tyre janë minimaliste dhe se nuk pranojnë negociata me qeverinë por presin që këtë vit rritja e pagave të tyre të bëhet me 30%, për të vijuar me rritje 20% vitin e ardhshëm.

“Nuk ka rroga pedagogësh me tarifat e studentëve, ato duhet tu kthehen studentëve në trajtë shërbimesh e rrogat e pedagogëve duhet të jenë nga granti i qeverisë”, tha ai.

Ndërkohë që ka paralajmëruar dhe protestën e radhës: “Shihemi në protestën e ardhshme tek universiteti Politkenik më 5 tetor në orën 11: 00. Si sindikatë do i qëndrojmë kërkesave tona e ska nevojë të flitet për negociata”, u shpreh ai.