Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë ka njoftuar se do të pezullojë bojkotin mësimor, por do të vijojnë me protestat me qëllim plotësimin e kërkesave të tyre.
Me anë të një njoftimi, SPUSH ka bërë të ditur se protesta e radhës kombëtare do të zhvillohet më datën 8 nëntori ora 11:00 përpara Korpusit të UPT-së.
“Ndodhur përballë kësaj situate kritike, Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë, e interesuar për normalizimin dhe zhvillimin e suksesshëm të jetës akademike vendosi:
Pezullimin e bojkotit dhe rinisjen e procesit mësimor, për të përmbushur detyrimin tonë akademik, atë të përçimit të dijes tek studentët;
Vazhdimin e protestës me të gjitha format demokratike dhe institucionale, përfshirë protestat kombëtare universitare periodike, deri në vlerësimin dhe zgjidhjen e kërkesave të parashtruara;
Të gjitha llojet e protestave, përfshirë grevat e çdo lloji, vazhdojnë të qëndrojnë si mundësi finale për realizimin e të gjitha kërkesave të Peticionit dhe më gjerë!
Të zhvillojë Protestën Kombëtare Universitare të radhës, ditën e Martë, datë 8 Nëntor 2022, ora 11.00, përpara Korpusit”, thuhet ndër të tjera në njoftim.