Kryeministri Edi Rama me ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu inaguruan sot pediatrinë e re të spitalit rajonal Durrës, një investim i qeverisë shqiptare që siguron standarde europiane në spitalin e fëmijëve të këtij qyteti.
“Është një ndër spitalet më të mira pediatrike që kemi. Ka një kapacitet prej 90 shtretërish. Është menduar për çdo detaj, të ketë elementët e urgjencës dhe të sigurisë. Çdo detaj është bërë që t’i rezistojë kohës dhe të jetë funksional”, tha Manastirliu gjatë inspektimit në spitalin e ri pediatrik në Durrës.
Duke iu referuar situatës së shkaktuar nga pandemia e Covid-19, Manastirliu tha se pediatria e Durrësit do të mbështesë pediatrinë e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në rast se do të ketë shtim të rasteve të fëmijëve të prekur me Covid-19.
“Duke qenë se QSUT po i nënshtrohet një rehabilitimi të plotë dhe nëse atje do të këtë shtimë të rasteve me Covid-19 apo rritje të numrave, është menduar që pediatria e Durrësit të jetë në mbështetje të QSUT, pra të jetë back-up i tij. Për rastet me Covid kemi ambient të dedikuar dhe dhoma izolimi të posatçme”, bëri të ditur Manastirliu.
Pediatria e spitalit rajonal Durrës është investim i qeverisë shqiptare me vlerë 2.2 milionë euro, në infrastrukturë dhe aparatura të reja mjekësore. Me një kapacitetet 90 shtretër, Pediatria e re me infrastrukturë si dhe pajisjet biomjekësore të një teknologjie të lartë do të ofrojë një standard të ri të kujdesit shëndetësor, duke garantuar cilësi dhe siguri për shëndetin e pacientëve të vegjël. Spitali i Durrësit, bashkë me 4 spitale të tjera, është në skenarin e parë të përfshirjes së spitaleve rajonale në përballimin e situatës së COVID-19, nëse ezaurohen kapacitetet në 4 spitalet COVID në Tiranë.





