Kreu i departamentit të pushtetit vendor pranë PD Durrës, Petro Vokopola ka komentuar vizitën e kryeministrit Edi Rama për të inspektuar Pediatrinë e re të qytetit bregdetar.
Në një postim në Facebook, Vokopola e quan inaugurimin fasadë që u ka kushtuar 3 milionë euro shqiptarëve vetëm për “llaç e tulla” pasi mungesa e specialistit të pediatrisë, mungesa e medikamenteve dhe e mjeteve diagnostikuese krijon një handikap në mbarëvajtjen e shërbimit 24 orësh të reparteve të Pediatrisë.
POSTIMI I PLOTË
Kryeministri vjen për herë të dytë për të inaguruar fasadën e Pediatrisë së Durrësit, që shqiptarëve u ka kushtuar 3 milionë euro vetëm për “llaç e tulla”. Ndërkohë në këtë spital janë duke punuar mjekë në pension dhe prej 4 vitesh ekziston një qarkore ku Urdhërohen Mjekët e Familjes të kryejnë edhe mjekun e rojes në Spitalin Pediatrik.
Këta të fundit duke qenë mjekë jo të trajnuar, sjellin pasoja të rënda në trajtimin e fëmijëve që shumë herë paraqiten në gjendje shumë të rëndë. Mungesa e specialistit të pediatrisë, mungesa e medikamenteve dhe e mjeteve diagnostikuese krijon një handikap në mbarëvajtjen e shërbimit 24 orësh të reparteve të Pediatrisë.
Lind pyetja, a mund të jetë kjo Ministri e Shëndetësisë, apo Qeveria në tërësi kaq e pa angazhuar ndaj këtij problemi kaq të rëndësishëm dhe delikat për kurimin sa më adekuat të fëmijëve tanë që po vuajnë pasojat e një shërbimi mjekësor pothuaj të prapambetur.
Me çfarë hipokrizie mburreni para prindërve dhe para popullit për nivelin e shëndetësisë që keni krijuar, kur çdo ditë bëni vetëm hapa prapa ku shumë fëmijë po rrezikojnë shëndetin dhe jetën e tyre?!





