DURRES, 11 prill 2013– Prokuroria e Durrësit do të kërkojë dënimin me 15 vjet burg të pedofilit amerikan, Carl Stephan Caminski, i cili gjatë viteve 2003-2006 abuzoi me tre djem të mitur në fshatin Rrashbull të këtij rrethi. Dje në Gjykatën e Shkallës së Parë të Durrësit u zhvillua me dyer të mbyllura seanca gjyqësore e radhës në ngarkim të 70-vjeçarit. Mësohet se gjykata ka administruar të gjitha provat e dosjes; hetimore, shkresore, e shkencore, por edhe dëshmitë e dhëna nga tre viktimat dhe familjarët e tyre. Burime të besueshme pohojnë se djemtë (tashmë në moshë madhore) kanë dëshmuar në seancën gjyqësore paraardhëse gjithçka që kanë mbajtur mend, ndërsa janë ndjerë të traumatizuar në sallën e gjyqit (njëri prej tyre ka pësuar gjendje shoku). Gjithashtu, janë tronditur dhe të afërmit e tyre kur kanë parë fotot dhe kanë mësuar me detaje për aktivitetin kriminal të Caminskit (ose Davidit, siç e thërrisnin ata). Njëri prej djemve të abuzuar është i sëmurë rëndë me diagnozën ‘Skizofreni refraktare’.
Sipas mjekëve ligjorë, sëmundja është shfaqur pas abuzimit seksual, në moshë të mitur. Burime nga Gjykata e Durrësit shprehen se prindërit e djalit kanë dëshmuar për vitet kur jetonin në fshatin Rrashbull të Durrësit dhe ishin komshinj me Carl Stephan Caminskin, në atë kohë 62-vjeçar, i cili hiqej si bamirës i komunitetit. Gjyqi zhvillohet në mungesë të të akuzuarit, i cili rezulton i “zhdukur” për drejtësinë shqiptare. Që në fillim të muajit nëntor të vitit që shkoi, Prokuroria e Durrësit ka nisur disa letra rekomande në adresë të burgut të Kalifornisë, ku 70-vjeçari vuante dënimin për të njëjtën akuzë dhe në adresë të shtëpisë së tij, por deri tani përgjigja nga pala amerikane ka qenë negative. Anëtarët e trupit gjykues bënë me dije se pavarësisht se nuk është bërë dot e mundur njoftimi i tij nga gjykata për çështjen penale, për të cilën akuzohet në Shqipëri, pedofili amerikan do të dënohet në mungesë. Prokurori i çështjes, Vla-dimir Mara, ka këmbëngulur të gjendet një mënyrë për njoftimin e të pandehurit dhe ekstradimin e tij në Shqipëri, ndërsa shërbimi postar amerikan i ka kthyer për-gjigje Gjykatës së Durrësit se Caminski nuk gjendet me adresat e mësipërme.
Në seancën e javës së ardhshme pritet që prokurori të lexojë konkluzionet përfundimtare të hetimit dhe të kërkojë dënimin nga gjykata të Carl Stephan Caminskit nga 10 deri në 15 vjet heqje lirie. Kjo për akuzën “Marrëdhënie seksuale dhe homoseksuale me të mitur”.





