Në Itali, lideri ndërkombëtar që gëzon më shumë besim nga opinioni publik është kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez. Në fund të renditjes ndodhen presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan dhe ai rus Vladimir Putin. Edhe presidenti amerikan Donald Trump dhe lideri kinez Xi Jinping marrin vlerësime shumë të ulëta.

Qëndrimi i qeverisë spanjolle ndaj Shteteve të Bashkuara, politikat progresiste në fushën e punës dhe emigracionit, si edhe refuzimi për të rritur shpenzimet ushtarake pavarësisht presioneve nga Uashingtoni, duket se kanë ndikuar në perceptimin pozitiv të Sánchez në Itali. Madje, pas kërcënimeve të reja nga SHBA-të lidhur me bazat ushtarake në Andaluzi dhe kundërshtimit të operacionit ushtarak kundër Iranit, kryeministri spanjoll është shndërruar në një nga zërat më të fortë europianë kundër ndërhyrjeve ushtarake në Lindjen e Mesme.

Sipas Youtrend, në një sondazh të realizuar për revistën L’Espresso, slogani i tij “Jo luftës” është përqafuar edhe në Itali nga ata që kundërshtojnë ndërhyrjet ushtarake në rajon. Rezervat e tij ndaj Shtëpisë së Bardhë, e konsideruar nga shumëkush një aleat gjithnjë e më pak i besueshëm, e kanë shndërruar Sánchez në një lloj zëdhënësi europian të anti-trumpizmit.

Mes liderëve ndërkombëtarë me më shumë besim rezulton edhe kryeministri shqiptar Edi Rama. Ai renditet i pesti së bashku me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky. Sipër tyre përveç Sanchez ndodhen Friedrich Merz i dyti, Emmanuel Macron i treti dhe Ursula Von der Leyen e katërta.  

Renditja sipas besimit

Pedro Sánchez – 51% besim

Friedrich Merz – 35%

Emmanuel Macron – 34%

Ursula von der Leyen – 34%

Edi Rama – 29%

Volodymyr Zelenskyy – 29%

Në fund të klasifikimit ndodhen liderët e disa prej fuqive më të mëdha botërore:

Donald Trump – 14%

Xi Jinping – 12%

Vladimir Putin – 10%

Recep Tayyip Erdoğan – 8%

Sipas Giovanni Diamantit, edhe pse Pedro Sánchez nuk ka nivelin më të lartë të njohjes ndërkombëtare, ai gëzon një nivel shumë të lartë pëlqyeshmërie tek votuesit italianë.

Ai thekson gjithashtu se, në përgjithësi, liderët ndërkombëtarë nuk gëzojnë mbështetje shumë të madhe në opinionin publik italian.

Në veçanti, figura shumë të njohura si Trump dhe Putin janë thellësisht polarizuese: niveli shumë i lartë i njohjes shoqërohet me një shkallë të ulët pëlqyeshmërie, çka tregon më shumë një perceptim negativ sesa thjesht ndarje të elektoratit.