PEKIN, 17 mars 2013 – Në konferencën e shtypit të organizuar më 17 mars 2013 në Pekin, kryeministri i Kinës Li Keqiang u shpreh se marrëdhëniet kino-amerikane përputhen me interesat thelbësorë të të dy popujve, si dhe përputhen me prirjen e përgjithshme të zhvillimit paqësor të mbarë botës, njoftoi Radioja e Jashtme e Kinës.

Shefi i qeverisë kineze u shpreh se ashtu si edhe në të kaluarën, qeveria kineze u kushton shumë rëndësi marrëdhënieve kino-amerikane, pasi këto marrëdhënie janë ndërmjet vendit më të madh në zhvillim dhe atij më të madh të zhvilluar.

Keqiang-u shtoi se qeveria kineze është e gatshme të punojë me qeverinë e Obamës për ndërtimin e një tipi të ri të marrëdhënieve midis superfuqive.

Në fjalimin e tij Keqiang-u nuk mohoi divergjencat që ekzistojnë midis Kinës dhe SHBA-së, duke shtuar se nëse palët respektojnë shqetësimet e njëri-tjetrit, atëherë interesat e përbashkëta mund t’i kapërcejnë dallimet.

“Rajoni i Azi- Paqësorit integron interesat e Kinës dhe të SHBA-së, prandaj Kina dhe SHBA-ja duhet të ruajnë stabilitetin rajonal dhe të nxitin lulëzimin e rajonit”, tha shefi i qeverisë së Pekinit.

Kryeministri  Li Keqiang tha se Kina shpreson se “ajo që thuhet do të veprohet, për të nisur nga rajoni i Azi-Paqësorit, të krijojmë marrëdhëniet e tipit të ri midis fuqive të mëdha dhe kjo do të jetë në favor të paqes dhe të zhvillimit të botës”.

Duke folur për sulmet e internetit, Li Keqiang u shpreh se ky është një problem botëror, edhe vetë Kina është hasur disa herë me këtë problem.

/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/