KINE – Ndotja e ajrit në Pekin ka tejkaluar nivelin kritik aq sa të marrësh frymë në kryeqytetin kinez është bërë e rrezikshme dhe banorët janë këshilluar të mos dalin jashtë shtëpive, ose të mbajnë maska në fytyrë kur dalin në rrugë.
Për shkak të ndotjes së ajrit Pekini është mbuluar nga një smog i dendur, në aeroporte shpesh anullohen fluturimet, ndërsa shumë banorë të kryeqytetit kinez vuajnë nga sëmundje të aparatit të frymëmarrjes. Gjatë ditëve të fundit situata është përkeqësuar për shkak të motit pa erë.
Autoritetet e metropolit aziatik publikojnë rregullisht të dhëna të detajuara për ndotjen e ajrit në qytet. Në ditët kur ajri është i ndotur më shumë se zakonisht, pezullohet puna e ndërmarrjeve të mëdha industriale.
Në kuadër të luftës kundër ndotjes së ajrit për një afat të gjatë kohor autoritetet planifikojnë të mbyllin termocentralet me qymyr, të heqin nga qarkullimi taksitë e vjetra si dhe të mbjellin pemë për të mbrojtur qytetin nga stuhitë e pluhurit.