Legjenda e futbollit brazilian Pele ka paraqitur në një ankand, i cili zhvillohet në Londër, disa sende personale plot kujtim. Ndër të tjera, ai ka sjellë edhe një replikë të Kupës së Botës Jules Rimet, e cila i është dhënë fituesve të kompeticionit deri në vitin 1970. Origjinalja ka humbur që prej vitit 1983, por replika është në duart e Pele, dhe ai do ta paraqesë në ankand për rreth 500.000 euro.

Kopja është krijuar posaçërisht për të, pasi Brazili fitoi për të tretën herë kompeticionin në vitin 1970. Veç kupës, do të paraqitet në ankand edhe medalja e parë e Pele e vitit 1958, të cilën e ka marrë kur ishte vetëm një adoleshent 17 vjeçar. Ajo do të dalë në ankand për çmimin 255.000 euro. 75-vjeçari do t’i dhurojë shumicën e fitimit “Pequeno Principe”, spitalit të fëmijëve më të madh në vendlindjen e tij.