31 tetor 2015 – Ikona e futbollit brazilian, Pele, në një deklaratë të fundit, shprehet mbi Neymarin, por nuk e vlerëson atë si një futbollist madhështor, teksa identifikon si mangësi të sulmuesit të ri të Brazilit, shënimin ose mbrojtjen me kokë. Kjo, ndonëse të gjithë mendojnë se futbollisti i Barcelonës është ylli i përfaqësueses braziliane, madje duke e vlerësuar se ka potencialin për të qenë më i miri në botë.
“Neymar është një futbollist i mirë, por sa gola ka realizuar ai me kokë në karrierën e tij? Ai është një lojtar i shkëlqyer, por Vasconcelos, shoku im i ekipit te Santos, ishte pa asnjë diskutim 10 herë më i mirë se Neymar Neymar është një sulmues, që luan përpara, kaq. Ai nuk tërhiqet pas të mbrojë dhe nuk organizon. Është kaq e vështirë të krahasosh atë me shumë futbollistë të së kaluarës, për sa kohë ai ka kaq shumë dobësi. Gjithsesi, në përfaqësuesen aktuale të Brazilit, ai është figura kryesore, i vetmi madje”, u shpreh Pele në një intervistë për “Placar”.
Pele foli dhe dha vlerësimin e tij edhe për shokun e skuadrës së Neymar te Barça, Lionel Messi, të cilin e konsideron të jetë më i miri i kohëve moderne, ndonëse i faturon edhe këtij disa mangësi. “Sikurse e kam deklaruar gjithmonë në këto 10 vitet e fundit, Messi është një nga futbollistët të cilin e konsideroj të superior. Por edhe ai nuk e përdor shumë kokën. Në mënyrë dominante ai përdor këmbën e majtë. Aktualisht ai është më i miri. Messi ka të njëjtin stil si Maradona, të njëjtën mënyrë loje. Ai është me fat që nuk ekziston aktualisht asnjë futbollist me të cilin të mund të krahasohet”, deklaroi legjenda e futbollit, Pele.
/portali DurresLajm/