Ministri ii Mbrojtjes, Niko Peleshi ka dhënë detaje të reja pasditen e sotme në lidhje me situatën e zjarreve në vend.

Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Peleshi shkruan se aktualisht janë aktive katër vatra zjarri në vend, ku më problematike është situata e zjarrit në Balgjaj në fshatin Kurdari.

Ndërkohë, në fshatin Madhesh, njësia administrative Ulëz në Mat zjarri i rënë ka marrë përmasa të mëdhaja dhe po avancon në drejtim të fshatit Stojan. Sipas ministrit, për shuarje e flakëve, përveç forcave zjarrfikëse në terren, ka shkuar në ndihmë edhe helikopteri Cougar.

Gjithashtu Peleshi njofton se po vijon puna në Buza Dede dhe në bashkinë e Prrenjasit.

Postimi i plotë i Niko Peleshit:

“Situata e zjarreve në vend

4 vatra aktive zjarri janë aktualisht në të gjithë territorin e vendit.

Problematike mbetet situata e zjarrit në Balgjaj në fshatin Kurdari. Forcat operacionale nën koordinimin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile po vijojnë të mbajnë nën kontroll situatën, për të shmangur rrezikun pranë një stani me bagëti e dhjetëra koshere bletësh.

Në fshatin Madhesh, njësia administrative Ulëz në Mat zjarri i rënë ka marrë përmasa të menjëhershme dhe po avancon në drejtim të fshatit Stojan. Veç forcave operacionale në terren ka shkuar në ndihmë edhe helikopteri #Cougar.

Vijon ndërkaq edhe operacioni për shuarjen e flakëve në vatrën e zjarrit të rënë në Buza Dede mbi fshatin Gurë-Lurë, ku flakët janë pranë liqeneve të Lurës.

Era e fortë ka vështirësuar aksionin për shuarjen e zjarrit edhe në vatrën e regjistruar një ditë më parë në midis malit të Xhyrës dhe njësisë admnistrative Qukës në bashkinë e Prrenjasit.

Të gjitha forcat operacionale janë shpërndarë me grupe në zona të ndryshme për të krijuar një perimetër për të ruajtur vijën e zjarrit ekzistues dhe për të fikur çdo aktivizim në kufijtë e zjarrit dhe në thellësi të tij.”