Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi dhe delegacioni i tij u pritën këtë të premte, më 27 shkurt, nga presidentja e Asamblesë Kombëtare të Francës, Yael Braun-Pivet, gjatë vizitës së tyre zyrtare në Paris.
“Në Paris, me Presidenten e Asamblesë Kombëtare, Yaël Braun-Pivet, një pritje mbresëlënëse që dëshmon marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve tona.
Franca mbetet partnere strategjike dhe mbështetëse e vendosur e Shqipërisë në sprintin e fundit drejt Bashkimit Europian. Mbështetje e qartë për përmbylljen e negociatave brenda vitit 2027.”, shkruan Peleshi pas këtij takimi.
Në këtë takim, kryetari i Kuvendit vlerësoi rolin e diplomacisë parlamentare në forcimin e marrëdhënieve dy palëshe.
Kujtojmë se dy ditë më parë, Peleshi zhvilloi edhe një vizitë zyrtare në Senatin e Francës, ku u prit nga Presidenti i Senatit, Gerard Larcher.
Në këtë takim, presidenti i Senatit rikonfirmoi mbështetjen e Francës për bashkëpunimin e gjithanshëm me Shqipërinë dhe për procesin e saj të anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Ai vlerësoi ritmin e shpejtë të progresit të Shqipërisë drejt anëtarësimit, duke e cilësuar këtë fazë si një “sprint të fundit drejt BE-së”, që kërkon vullnet të fortë dhe bashkëpunim politik.





