Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në bashkëpunim me Delegacionin e Bashkimit Europian, në kuadër të promovimit të produktit shqiptar të prodhuar në zonat malore, shpalli konkursin për përzgjedhjen e logos promocionale, identifikuese të këtyre produkteve.
Lançimin e këtij konkursi grafik e bëri të ditur vetë ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi gjatë takimit me gratë e fshatit Qelëz, të zonës së Pukës, të qarkut Shkodër. Në këtë takim ishte e pranishme dhe Ambasadorja e Delegacionit Europian në Tiranë, Vlahutin.
"Sot, jam shumë i gëzuar që të lançoj bashkë me Ambasadoren. Ka qenë një ide e përbashkët, një iniciativë e përbashkët. Dua ta falënderoj përsëri Ambasadoren sepse ka mundësuar dhe financimin e një logoje, pra e një etiketeje, të një emërtimi, të një logoje dalluese të prodhimeve të zonave malore. Të prodhimeve tipike, tradicionale të zonave, të prodhuara kryesisht nga gratë", tha Peleshi.
Për Ambasadoren e Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Vlahutin, produktet e këtyre zonave duhet të arrijnë qëllimin të jenë të dallueshme nga të gjithë konsumatorët, duke i dhënë vlerën dhe vendin e duhur.
Vlahutin tha se mjete të tilla të promovimit, janë rruga më e mirë për zhvillimin e këtyre zonave të thella malore, gjë që kërkon një mobilizim kolektiv i të gjithë aktorëve në terren.





