Tiranë, 16 qershor 2014 – Zëvendëskryeministri Niko Peleshi zhvilloi sot një takim pune me Presidentin e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg, Dean Spielmann. Në qendër të bisedës ishte prezantimi i planit të veprimit të Qeverisë Shqiptare për zbatimin e masave të kërkuara nga vendimi i Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Ky plan u përshëndet dhe u inkurajua në takimin e 5 qershorit të Komitetit të Ministrave të KiE, i cili pranoi kërkesën e Qeverisë Shqiptare për shtyrjen e afatit të shqyrtimit të dosjeve të ish pronarëve që i kanë ankimuar rastet e tyre në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Zëvendëskryeministri e garantoi Presidentin Spielmann se Qeveria Shqiptare ka vullnetin politik për t’i dhënë një zgjidhje përfundimtare çështjes së pronave në Shqipëri. Ai e ka njohur z. Spielmann gjithashtu me problematikën tejet komplekse e të trashëguar që paraqet çështja e pronave, por edhe me koston që ka shkaktuar për Shqipërinë mungesa e veprimit në lidhje me masat e kërkuara nga Strasburgu prej qeverisë së kaluar, e cila ka shpërdoruar madje pjesën më të madhe të kohës pas vendimit të Gjykatës pa marrë masa konkrete për adresimin e kësaj çështje.

Plani i veprimit që iu prezantua Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut u miratua në prill 2014 dhe parashikon përfundimin e procesit deri në fund të vitit 2015. 

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/