Doktori i njohur, Pëllumb Pipero është nderua sot me titullin e lartë “Qytetar Nderi” në qytetin e tij të lindjes, Skrapar.

Pipero u prit me buqeta me lule e përqafime nga qytetarët e Skraparit, miqtë, kolegët dhe familjarët e tij.

Me kërkesën e qytetarëve të Skraparit, Këshilli Bashkiak miratoi me unanimitet më 28 maj 2020 dhënien e titullit “Qytetar Nderi” i Skraparit prof.dok. Pëllumb Piperos, me motivacionin

“Për veprimtari të shquara profesionale dhe akademike përgjatë gjithë karrierës së tij në fushën e mjekësisë,veçanërisht atë të sëmundjeve infektive si dhe për kontrollin e çmuar profesional e publik në përballimin e situatës së pandemisë së shkaktuar nga Covid-19”.

Pas marrjes së titullit,prof.dok.Pëllumb Pipero u shpreh se, jo vetëm u emocionua por edhe u befasua për titullin e madh të qytetarit të nderit që mori sot nga Këshilli Bashkiak i Skraparit, me inisiativën e shumë qytetarëve dhe kolegëve të këtij qyteti.

“Është nder, obligim dhe përgjegjësi e madhe të kesh titullin “Qyterar Nderi” Skraparit, një qyteti që nuk i kanë munguar as burrat dhe as gratë,as pedagagët, akademikët, mjekët, deputetët e ministrat. Kjo pandemi evidentoi shumë vlera të shoqërisë njerëzore, evidentoi solidaritet, mirëkuptim,përkushtim,respektim të normave të veçanta e shpesh të detyruara që nuk ishin të dashura por të domosdoshme. Në këtë pandemi unë dhe kolegët e mi kemi bërë thjesht detyrën dhe unë si pjesë e kësaj gjenerate mjekësh do të vazhdoj të bëj detyrën time të mjekut deri në fund”, ka thënë Pipero.

Në ceremoninë e organizuar mesditën e sotme përpara bashkisë së qytetit të Skraparit kanë qënë të pranishëm jo vetëm përfaqësues të pushtetit vendor por edhe deputetë, ministra, qytetarë të Skraparit si dhe kolegë e familjarë të Piperos.