Temperaturave të larta iu ka ardhur fundi. Meteorologia Lajda Porja në një intervistë në News24 tha se do të ketë një përmbysje të situatës.
Fundjava pritet që të shoqërohet me reshje, kryesisht e shtuna, ku edhe do të ketë rënie drastike të temperaturave.
“E gjithë java do të sjellë një përmbysje të situatës. Kanë nisur reshjet e para në zonat veriore. Sonte gjatë natës dhe e gjithë dita e shtunë do të jenë me rrebeshe. Do të kemi intervale me intensitete të larta. Mund të kemi edhe përmbytje të përkohshme. Parashikohet që fundjava të jetë me shi, kryesisht e shtuna, dita e diel do të ketë përmirësim gjatë pasdites, por edhe të hënën mbeten reshje të pakta shiu për t’u kthyer ditën e martë.
Sot dita e fundit me temperatura më të larta. Nga e shtuna do të kemi rënie drastike të temperaturave. Do të kemi temperatura të ngjashme me dhjetorin”, tha meteorologia.
“Pas kësaj stuhie që ka përfshirë Italinë dhe po zhvendoset drejt vendeve të rajonit do qëndrojë deri 5-6 ditë, por do kemi sërish përmirësim të motit, por nuk do të ketë sërish temperatura të larta. Kjo vranësirë epiqendrën e ka veri të Ballkanit. Priten shumë reshje në Fierze, Vaun e Dejës e Koman”, shtoi ajo.