A keni parë ishuj me beton, baltë dhe pemë në mes të rrugës? Inxhinierët tanë, kanë ndryshuar profesion e po bëhen shkencëtarë, e filozofë në inxhinieri!

Është rruga “Pandeli Vangjeli” në zonën e ish-Kënetës e sapo rikonstruktuar, që në një sens të saj inxhinieria shqiptare ka bërë nisur të bëjë çudi të mëdha. Kjo është rruga kryesore lidhëse e dy shkollave nëntëvjeçare e të mesme të zonës me rreth 2500 nxënës. Pasi është asfaltuar rruga, në një sens të saj janë ndërtuar bordura betoni mbi dy metra të gjera e të gjata, në mes këto bordura janë mbushur me baltë dhe është mbjellë nga një shkurre, mbi asfalt.

Në të dy krahët e rrugës janë ndërtuar trotuaret, por nuk është mbjellë asnjë pemë. S’e çfarë duan ishujt e vegjël në mes të rrugës ku mund të qarkullojnë makinat apo të parkojnë, këtë e di vetëm projektuesi e zbatuesi, që bëjnë filozofi apo eksperimente me rrugët në Durrës.

Në klasë të parë nxënësit mësojnë nga mësuesi i abetares se pemët vendosen në anë të trotuareve për gjelbërim, pastrim të ajrit, dhe trungjet e tyre lyhen me gëlqere për t’u mbajtur pastër. E ka bërë klasën e parë inxhinieri, që i mbjell pemët mbi asfalt?

A mund të konsiderohet “rrëshqitje” apo projekt inovativ, kjo që po ndodh në rrugët e Durrësit?

Banorët e zonës së Kënetës dhe shoferët, reagojnë ndaj projektit të rrugës “Pandeli Vangjeli”

“Inxhinierët janë çmendur, se nuk është parë në asnjë vend të botës të mbillen pemë mbi asfalt, kemi qenë jashtë shtetit kudo, po kështu nuk kemi parë. Do bëhen aksidente, do marrin në qafë njerëz”, thotë një banor.

“E morën modelin nga rruga e plazhit. Vjet e ndërtuan atë rrugë, sivjet e prishën edhe në këtë rrugë e njëjta gjë po bëhet. Nuk është parë që bordura e betonit të hyjë 2 metra në rrugë. Rruga është për makinat”, thotë një tjetër banor.  

“Punimet janë bërë në cilësinë më të keqe të mundshme, nuk janë sistemuar kanalizimet, i kanë vjedhur fondet”, thotë një tjetër banor.

Reagimet janë të shumta nga ana e banorëve, që u duhet të kalojnë në rrugën e ishujve.

Ndjekim reagimin e tyre në videon më poshtë.

K.H.