Pas fitores ndaj Kukësit, lojtari më i mirë i takimit ishte Isli Hidi, dhe gardiani i Teutës u shpreh:
Fitore me përmbysje. E vështirë që të jeni ju më i miri i ndeshjes. Bëtë 2 pritje që u festuan si gola. Si ndiheni?
Morali në ekip nuk është se nuk ishte. Në takimet e kaluara, nuk kemi fituar, por raste kemi pasur. Ana psikologjike nuk ka munguar. Sot ishim të përqendruar nga minuta e para. Çunat kishin besim që po të shënonim një gol, do e kthenim. Dua t’i falenderoj për shpirtin e garës. Kemi 15 javë që nuk humbim. Kjo tregon forcën tonë.
Çfarë duhet të ndryshoni në sulm?
E thashë, pas fazës përgatitore, ekipi nuk është 100%. Besoj që puna dhe dëshira të mbajnë në nivel të lartë, mua nuk më mungojnë. Gjithsesi, nuk është se po shkëlqej unë, është gjithë ekipi që po bën një kampionat të shkëlqyer, që askush nuk e priste.
Penalltitë e pritura…
Kam pritur dy, nuk isha unë në penalltinë që na shënoi Flamurtari. Duhet edhe pak fat, më ka ndihmuar deri tani, ashtu si ka ndihmuar edhe Teutën sot. Ishte një ndeshje e shkëlqyer, fitorja ishte e merituar besoj.
Rasti i penalltisë…
Në rregullore është që të mos lëviz, por nuk ka portier në botë që nuk bën gjysmë hapi, apo një hap. Është normale që një portier të lëvizë, pavarësisht se është e drejta e arbitrit që ta anulojë apo jo. Shyqyr që nuk kemi VAR(qesh).





