Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka denoncuar përmes një postimi në rrjetet sociale qeverinë socialiste për mënyrën sesi trajton pensionistët.

Duke krahasuar shpenzimet e qeverisë për pensionet dhe ato për Partneritetet Publiko-Private (PPP), Tabaku ka theksuar për përdorimin e padrejtë të buxhetit. Sipas saj, ndërsa qeveria shpenzon vetëm 6.8% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) për pensionet dhe shpenzon plot 50% të PBB për PPP-të.

Tabaku e ka cilësuar këtë qasje si një tregues të qartë të padrejtësisë ndaj një prej shtresave më të ndjeshme të shoqërisë, pensionistët, të cilët sipas saj, janë një kategori për të cilën shoqëria i ka shumë borxh. “ Është e pandershme ndaj shtresës që i detyrohemi më shumë dhe njëkohësisht një shenjë pafuqie përballë atyre që paguajnë më pak taksa !”, ka shkruar ajo.

Gjithashtu, Tabaku ka theksuar se përfitimet e pensionistëve kanë pësuar një rritje tejet të vogël dhe qesharake, e cila është poshtëruese. Sipas saj, kjo rritje është vetëm 20 lekë në ditë, sa për një gjysmë bilete autobuzi, duke e konsideruar këtë si një tregues të mungesës së vizionit dhe përkushtimit të qeverisë ndaj kësaj shtrese.

Deputetja demokrate ka evidentuar se rritja e shpenzimeve për PPP-të është më e lartë sesa pagesat për pensionistët, çka sipas saj tregon qartë prioritetet e gabuara të qeverisë dhe mungesën e një politike të drejtë sociale.

Tabaku ka shprehur gjithashtu se skema e pensioneve ka dështuar dhe këtë e sheh si një shenjë se qeveria nuk ka asnjë plan konkret për të përmirësuar jetën e pensionistëve, duke e lënë këtë kategori në mëshirë të fatit dhe duke shpenzuar burime për partneritete që nuk reflektojnë interesat e qytetarëve.