Tiranë, 4 maj 2014 – Skema e re e pensioneve parashikon disa ndryshime në përllogaritjen e përfitimeve që përfitojnë gratë. Krahas rritjes së moshës me 2 muaj për çdo vit, që do nisë të aplikohet nga viti 2015, për të arritur në 63 vjeç në vitin 2032, në skemën e re janë parashikuar kushte të reja për përfitimin e pensionit si nënë me shumë fëmijë dhe pensionet familjare, shkruan sot “Panorama”.
Aktualisht nënat që kanë lindur 6 apo më shumë fëmijë, të cilët janë mbi 8 vjeç, kanë të drejtë të dalin në pension kur mbushin moshën 50 vjeç dhe kanë 30 vjet periudhë sigurimi. Sipas ligjit aktual, e njëjta moshë dhe periudhë sigurimi nevojitet që një grua të përfitojë pension familjar në rast se i vdes bashkëshorti dhe është e paaftë për punë. Ndërsa për burrat e ve, që kanë një fëmijë në ngarkim deri në moshën 8 vjeç, mosha e përfitimit të pensionit familjar është 60 vjeç.
Në skemën e re të pensioneve parashikohet që mosha e daljes në pension për këto kategori të barazohet me pjesën tjetër të popullsisë, çka do të thotë që për gratë do të duhen edhe 10 vite të tjera punë për të përfituar pensionin si nënë me shumë fëmijë dhe atë familjar.
“Përmirësimi i mënyrës së llogaritjes së pensioneve për nënat me shumë fëmijë dhe pensionet familjare, duke përcaktuar si moshë për përfitimin e pensionit nga bashkëshortët moshën e daljes në pension”, thuhet në dokumentin për reformën e pensioneve.
Gjithashtu, vitet e shkollës së lartë për femrat që deri më sot janë njohur si periudhë sigurimi për efekt pensioni, nuk do të përfshihen më në llogaritjen e pensioneve. Konkretisht, në draftin e reformës së pensioneve përcaktohet “heqja e privilegjeve për njohjen e periudhave të sigurimit pa paguar kontribute për gratë, siç është njohja e viteve të studimit si vite të siguruara”.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





