Vitin e kaluar, vlera neto e aseteve të fondeve arriti në 15.05 miliardë lekë, ose rreth 155 milionë euro, në rritje me 17% krahasuar me një vit më parë. Rritja e aseteve ishte në nivele të përafërta me vitin 2024.
Në këtë shifër, përfshihen edhe treguesit e fondeve të mbyllura të pensionit, të ngritura nga punëdhënësit për punonjësit e kompanive të tyre.
Duke përjashtuar fondet e mbyllura, asetet neto të fondeve të hapura të pensionit rezultojnë rreth 9.86 miliardë lekë, ose 102 milionë euro, në rritje vjetore me 21.7%.
Numri total i anëtarëve në fondet e pensionit privat arriti në 49 899, në rritje me 11.1% krahasuar me një vit më parë.
Gjatë vitit 2025, fondeve private të pensioneve u janë shtuar rreth 5 mijë anëtarë. Numri i kontribuuesve përbën rreth 6.5% të numrit të individëve që kontribuojnë në skemën shtetërore të pensioneve.
Megjithatë, kursimi mesatar i anëtarëve në fondet e pensionit privat ngelet në nivele ende shumë modeste.
Në fund të vitit të kaluar, çdo kontribuues zotëronte mesatarisht 200 mijë lekë, ose rreth 2070 euro asete neto në llogarinë e fondit të pensionit. Ky tregues është rritur me afërsisht 11% krahasuar me një vit më parë.
Kontributet mesatare janë ende në vlera modeste, siç dëshmohet nga treguesi i aseteve neto për anëtar.
Me gjithë rritjen e ndjeshme të pagave në vitet e fundit, mundësitë për të kursyer në shërbim të pensionit janë të kufizuara. Sipas të dhënave më të fundit, paga mesatare bruto në Shqipëri është afërsisht 87 mijë lekë në muaj.
Ligji aktualisht ofron disa incentiva fiskale, në formën e përjashtimit nga tatimi mbi të ardhurat. Sipas ligjit aktual, kufiri maksimal mujor i përjashtimit tatimor është i lidhur me nivelin e pagës minimale të miratuar, që aktualisht ka arritur në 50 mijë lekë në muaj.
Me nivelin aktual të pagës minimale, shuma e kontributeve e përjashtuar nga tatimet do të arrinte sot në 600 mijë lekë në vit. Edhe kontributet e pensionet privat të derdhura nga punëdhënësi në favor të punëmarrësit do të përjashtohen nga tatimi në të njëjtën masë.
Ligji gjithashtu parashikon që pensionet të mos tatohen në përfitim për pjesën e kontributeve, por vetëm për kthimin nga investimi, me kusht që tërheqja të bëhet me pagesa mujore të shtrira në të paktën dy vite dhe jo në mënyrë të menjëhershme, pas përmbushjes së kushteve ligjore për përfitimin e pensionit privat.
Fondet e pensionit përfaqësojnë një alternativë kursimi për të pasur të ardhura të mjaftueshme në moshë pensioni. Kthimet e tyre janë në përgjithësi më të ulëta dhe më të qëndrueshme krahasuar me fondet e investimit, edhe për shkak të mënyrës së ndryshme të llogaritjes së kthimit.
Fondet e pensioneve lejohen që instrumentet financiare ku investohen asetet e tyre t’i kontabilizojnë si të mbajtura deri në maturim, me kosto të amortizuar, ndaj ato nuk ndikohen shumë nga luhatjet afatshkurtra të normave të interesit.
Për këtë arsye, kthimet e fondeve të pensionit reflektojnë kryesisht ecurinë e instrumenteve financiare ku investohen kontributet e tyre, obligacionet e qeverisë shqiptare dhe diferencat në normat e kthimit mes fondeve të ndryshme janë më të vogla.
Fonde private të pensionit ofrojnë kthim vjetor në intervalin mes 4% dhe 5%. Kthimet nuk kanë ndryshime të mëdha mes fondeve, duke qenë se asetet investohen në instrumente të ngjashme, kryesisht obligacione afatgjata të qeverisë shqiptare.
Diferencat vijnë kryesisht nga tarifat që aplikojnë shoqëritë administruese.
Zakonisht, kthim më të lartë ofrojnë disa fonde të veçanta pensioni që shiten online nëpërmjet aplikacioneve të e-banking të bankave tregtare. Këto fonde kanë një tarifë administrimi më të ulët dhe kjo rezulton në një normë kthimi më të lartë për anëtarët. /Monitor





