Ditën e sotme u firmos dokumenti përfundimtar i marrëveshjes për njohjen e pensioneve Shqipëri-Itali. Në një konferencë për shtyp, zv/ministrja e Financave, Olta Manjani, sqaroi se çfarë mbulon kjo marrëveshje.
“Mbulon degët kryesore në fushën e sigurimeve shoqërore që kanë të bëjnë me sigurimet për pensionin e pleqërisë, sigurimin për invaliditetin dhe pensionin familjar, sigurisht lidhet edhe me përfitimet për sëmundjet dhe barrëlindjen dhe sigurimet e papunësisë. Pra pothuajse të gjitha degët dhe kategoritë për të cilat mbulohen me elementë të sigurimeve shoqërore”, tha Manjani.
Zv/ministrja Manjani tregoi edhe parimet ku është bazuar marrëveshja.
“Unë do doja të veçoja tre më të rëndësishmit. Është trajtimi i barabartë që do të thotë shtetasit shqiptarë në Itali, apo shtetasit italianë në Shqipëri do të paraqiten pranë zyrave të institucioneve përkatëse, pra të institucioneve të sigurimeve shoqërore në Shqipëri dhe në Itali dhe do të kërkojnë informacion dhe do të aplikojnë njëlloj siç do ishin në vendin e tyre të origjinës. Kjo lehtëson edhe komunikimin, edhe shkëmbimin e informacionit dhe këto janë të gjitha detaje që do të parashikohen në një marrëveshje administrative e cila do të bëhet gjatë periudhës që marrëveshja ratifikohet në parlamentet përkatëse. Një element tjetër shumë i rëndësishëm teknik i kësaj marrëveshjeje është dhe totalizimi apo ndryshe bashkimi i periudhave që do të thotë të gjithë ata shqiptarë që kanë kontribuar për një periudhë në skemën e sigurimeve shoqërore të Shqipërisë, por nuk kanë plotësuar vitin minimal të përfitimit të pensioneve që është 15 vjet në rastin e Shqipërisë, kjo periudhë do të bashkohet me periudhën që ata kanë kontribuuar me shtetin italian dhe në pensionin final që do të marrin, do të marrin kontributin përkatës në vendin përkatës ku janë derdhur kontributet. Një tjetër parim shumë i rëndësishëm është edhe eksportimi i përfitimeve. Këtu edhe ministri e theksoi që me procesin e dixhitalizimit do të jetë edhe më e lehtë. Shtetasit italianë që janë në Shqipëri apo shqiptarët që janë në shtetin italian nuk do u duhet që të udhëtojnë nëpër shtetin e tyre të origjinës për të bërë aplikimin për përfitimin e pensionit pasi ata i përfitojnë këto të drejta automatikisht në vendin ku ata janë rezident. Që do të thotë një shqiptar që ka punuar këtu prej disa vitesh kërkesën do ta bëjë në Institutin e Sigurimeve Shoqërore të Italisë dhe do të bëhet shkëmbimi automatik i të dhënave ndërmjet dy institucioneve që janë përgjegjëse”, tha Manjani.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes do të ketë një ratifikim në parlamentet përkatëse dhe më pas marrëveshja do të hyjë në fuqi. Nga momenti i hyrjes në fuqi atëherë do të jetë e hapur dhe procesi i aplikimit për përfitimin e kontributeve që janë derdhur në të dyja vendet përkatëse.
Individët që pritet të dalin në pension gjatë kësaj periudhe në fazën e parë parashikohet që të jetë rreth 4 mijë.
“Me kalimin e kohës dhe me mbushjen e moshës së pensionit apo me mbushjen e numrit minimal të kontributeve pasi pas këtij momenti secilit i lind e drejta të përfitojë nga pensioni pavarësisht nëse do ta plotësojë të plotë periudhën e përfitimit të një pensioni të plotë. Do të shihet se si është shpërndarja demografike sipas grupmoshave. Në momentin që del në pension apo kërkon të përfitojë qoftë dhe vitet minimale të pensionit i lind e drejta për ta përfituar, por kjo mbetet diçka për ta vlerësuar në vijim në varësi dhe të aplikimeve që do të vijnë nga shtetasit e të dyja vendeve”, tha Manjani.