Pensionistët e Durrësit, ndryshe një ditë më parë, kur moti i keq nuk ua mundësoi shfrytëzimin e liridaljes, sot kishin mbushur shëtitoren “Taulantia”.
Në grupe me jo më shumë se dy persona, ata shfrytëzuan motin e mirë për të bërë një xhiro bregut të detit dhe për t’u përshëndetur me të njohurit.
Shumë prej tyre i gëzoheshin ecjes, disa shijonin bukurinë e detit Adriatik të ulur tek Sfinksi apo përgjatë bordurave të shëtitores, ndërsa nuk mungonin edhe banjot e diellit. Operatori i DurrësLajm ka fiksuar me kamerën e tij, pensionistët guximtarë që nuk kanë nguruar të zhvishen e t’i gëzohen rrezeve të diellit të këtij fillim maji.
Ndryshe nga javët e kaluara, ata patën mundësi liridalje deri në orën 10.00 të shtunën dhe të dielën, ndërsa pas orës 11.00 e deri në 17.30 mund të dalin prindërit me fëmijë deri në 14 vjeç.
Pavarësisht se ditët e tjera e kanë të ndaluar të dalin, kjo nuk i ka frenuar pensionistët e Durrësit të dalin për të blerë gjërat e nevojshme apo për të paguar faturat.
Fakti që qyteti bregdetar ka më shumë se 20 ditë pa asnjë rast të ri të prekur nga Covid-19 e ka larguar disi frikën e qytetarëve nga rreziku i pandemisë Covid-19.





