“Edi Rama i ka gënjyer edhe me një pulë pensionistët për festat e fundvitit, edhe këtë mund të mos e japë, dhe ne prapë nuk kemi çfarë të bëjmë”, kështu flasin pensionistët e Durrësit ndërsa kanë mësuar ditët e fundit se shpërblimi i fundvitit nuk mund të jepet.
Paratë mungojnë për shkak se në buxhet mungojnë 60 milionë lekë. Për pensionistët nuk ka asnjë çudi që një kilometër rrugë të investohet me 20 milionë Euro, ndërsa për ta të mos akordohet asnjë fond.
Pensionistët e Shqipërisë mbeten shtresa më e varfër e popullisë. Jo që pensionet nuk janë rritur në qeverinë Rama, por për vitin 2019, qeveria ka paralajmëruar edhe mosdhënien e shpërblimit të fundvitit.
Në Durrës pensionistët kalojnë ditët në ato pak vende publike që kanë mbetur duke luajtur më njëri- tjetrin. Me pensionin që marrin nuk mund të përballojnë as nevojat më minimale, ndërsa pjesa më e madhe e pensionit shkon për të marrë ilaçet dhe për të paguar faturat e muajit. Pensionistët e Durrësit thonë se Qeverisë nuk kanë çfarë t’i bëjnë, për aq kohë sa qeveria vendos për fatin e tyre, ashtu sikundër për çdo gjë tjetër.
Pensionistët e fshatit sot marrin një pension gati qesharak, prej 60 Eurosh në muaj, ndërsa ata të qytetit 120 Euro mesatarisht, aq sa nuk mjaftojnë as për të mbajtur frymën gjallë. Ata pensionistë që kanë fëmijët jashtë shtetit dhe ndihmohen prej tyre, janë me fat, të tjerët që nuk kanë mundësi, shtyjnë ditët e fundit të jetës në mjerim të plotë.
Shembulli konkret janë këta pensionistë që rrinë lulishteve të Durrësit dhe ngrohen në diell, ndërsa në kohë dimri mbyllen brenda shtepive në pamundësi edhe për t’u ngrohur.
K.H.





