Angelo Alo nga Brindizi dhe Lampietro Carmine nga Milano janë dy pensionistë italianë që kanë lënë gadishullin Apenin e kanë ardhur për të pleqëruar në periferi të Durrësit.
“Në Itali një pensionist nuk mund të mbijetojë, ndërsa në Shqipëri po, sepse taksat janë të ulëta dhe kosto e jetesës po ashtu, cilësia e jetës është më e mirë. Një qira shtëpie këtu kushton më pak se gjysma e asaj që kushton në Itali”, shprehet Lampietro Carmine.
“Sepse po të paguash qiranë e shtëpisë 200 euro, një shtëpi 100 metër katror, duke hequr këtë ,duke hequr dhe 100 euro drita-ujë-telefon, me atë që mbetet, diku te 700 euro një pensionist italian mund të shkojë të hajë prodhime deti të paktën dy herë në muaj në restorant, gjë që në Itali duhet ta ëndërrojë ose ta shohë në televizor”,shton Angelo Alo.
Italianët me një pension mesatar 700 deri në 1000 euro në muaj i kanë bërë mirë llogaritë.
“Nëse ble sallatë, në Milano më kushton 3.5 euro, këtu shpenzoj 25 cent. Këtu 1 kg mish kushton 6 euro kundrejt 15-16 euro që kushton në Milano. Kursimi është si në ushqime edhe në shërbime”,thotë më tej Angelo Alo.
Kërkesat janë shtuar kaq shumë, sa emigrimi i pensionistëve italianë në Shqipëri, është kthyer në biznes për italianë të tjerë. Roberto është një student italian, i cili tanimë ofron shtëpi me qira në Shqipëri për italianët.
“Nga viti në vit po rriten kërkesat e italianëve që duan të vijnë të jetojnë këtu dhe po kështu po reduktohet dhe paragjykimi i italianëve për Shqipërinë. Shumë prej tyre kanë ide të gabuar për Shqipërinë deri në momentin që mbërrijnë këtu. Ata vendosin të vijnë për të përmirësuar cilësinë e jetës dhe preferojnë kryesisht zonat bregdetare, por edhe qytete si Shkodra, Korça, Saranda, Durrësi apo dhe zona afër, por jo në qendër të Tiranës”,shprehet Roberto Macuka.
Pensionistet italiane tashmë janë kthyer në reklamuesit më të mirë të Shqipërisë. Një faqe në Facebook e tyre e konsideron vendin tonë, ashtu si amerikanët Floridën, vendin ku njeriu duhet të plaket. Por ata i kërkojnë qeverisë shqiptare të lehtësojë procedurat për qëndrimin e tyre pasi ligji ka kufizime.
“Shumë italianë duan të vijnë, por nuk munden. Nuk e kuptoj perse nuk mund të pajiset me leje qëndrimi një qytetar i lirë, i cili nuk ka probleme me ligjin dhe që të ardhurat e tij i shpenzon në Shqipëri”,thotë Angelo Alo.
“Të ketë më pak burokraci për t’u pajisur me leje qëndrimi. Thjeshtojeni këtë procedure për pensionistët italianë. Kam çdo muaj 3 apo 4 persona që më kontaktojnë e duan të vijnë, por nuk munden”,shprehet Lampietro Carmine.
Ndërkohë pashkët po afrojnë. Angelo po bëhet gati, fundja në Shqipëri, edhe qingjat kushtojnë më lirë. / Top Channel