12 shtator 2015 – “Kam ardhur në Durrës, pasi jetoj më mirë me pensionin që marr në Itali. Pastaj, është qytet mikpritës, pranë detit dhe me shumë diell”. Kjo është pak a shumë përgjigja që japin dhjetra pensionistë nga vendi fqinj, që vitet e fundit kanë zgjedhur të jetojnë në qytetin bregdetar.
Italianë që kanë punuar në Shqipëri e më pas nuk janë rikthyer në atdhe, të tjerë që janë martuar me gra shqiptare dhe që kanë vendosur të jetojnë moshën e tretë në vendin e bashkëshortes, apo edhe italianë të tjerë që mendojnë se nga Durrësi mbërrin më shpejt në Bari e në Brindizi, vendbanimi i tyre, se sa nga Torino apo Milano.
Siç shkruan edhe një gazetë italiane: “Bari-Durrës: Jeta e kamur e italianëve me pension urie”.
Bashkë me dhjetra profesionistë dhe biznesmenë që kanë hapur bizneset e tyre në Durrës, në të gjithë Shqipërinë llogariten rreth 20 mijë, edhe pensionistët italianë po bëhen pjesë e shoqërisë shqiptare.
Një gjë e paimagjinuar 25 vjet më parë, kur ne shqiptarët niseshim me gomone drejt brigjeve përballë.
/portali DurresLajm/