Në mungesë të hapësirave të gjelbërta, pensionistët e Durrësit i kalojnë orët e paradites duke qëndruar të ulur në stolat e betonuar të sheshit “Liria”.

Shpesh marrin dhe kartonë me vete, për t’u mbrojtur nga i ftohti që lëshon pllaka e mermertë, siç duket edhe në foton e shkrepur nga operatori Sokrat Toçi.

Shumë prej pensionistëve e vuajnë mungesën e gjelbërimit, sepse ajri i ndotur ua vështirëson edhe më shumë problemet shëndetësore.

“Nuk ka më mushkëri Durrësi. Haram e paçin ata që e bënë këtë punë!“,- shprehet i indinjuar një pensionist për mikrofonin e “DurrësLajm”.  

“Eshtë shkatërruar gjithçka, shumë më keq është bërë!”,- thotë një pensioniste, kur kujton Durrësin e shumë viteve më parë dhe bën krahasimin me qytetin e ditëve tona.

Me rritjen e temperaturave dhe ardhjen e verës, sheshi “Liria” dhe shëtitorja “Taulantia”, që janë hapësirat publike më të frekuentuara nga pensionistët, mund të shfrytëzohen vetëm gjatë orëve të pasdites së vonë dhe mbrëmjes.