Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Bledi Çuçi ka deklaruar se do ta votojnë kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të Sali Berishës, që i hap rrugë arrestimit të tij.

Në një prononcim për gazetarët pas përfundimit të seancës, ai tha se “pensionisti në krye të PD ka marrë peng të gjithë, por jo mazhorancën”.

Çuçi u shpreh se ata nuk kanë diskutuar mandatin e socialistëve dhe jo më të Sali Berishës.

“Pa diskutim, qëndrimi ynë është i prerë në këtë pikë. Ne nuk kemi diskutuar mandatin e kolegëve tanë kur SPAK kërkon një gjë të tillë në parlament. Ne do ta votojmë pro kërkesës së SPAK”, tha ai.

Ndërsa i pyetur për përjashtimin e Arben Ahmetaj, i cili ndodhet në arrati, dha këtë përgjigje: “Ben Ahmetaj nuk është në Shqipëri, është çështje e drejtësisë. Shumë shpejt do merret vendimi edhe nga grupi.

Ne jemi në ushtrim të plotë të sovranitet që na kanë deleguar qytetarët dhe do vazhdojmë ta ushtrojmë. Është qesharake të mendosh që Bardhi do vijë të votojë heqjen e imunitetit të Berishës”.