Andrea Karanaxha është një prej pensionistëve në qytetin e Durrësit, që ka pasion kopshtarinë. Banorët e një blloku pallatesh të lagjes nr.1 pranë detit, janë me fat që kanë fqinj Andrean, pasi ai përpiqet çdo ditë t’i shtojë gjelbërimin dhe më shumë ngjyra lagjes ku banon, duke marrë nga ana tjetër kënaqësinë vetjake prej rritjes së bimëve dhe falënderimet e banorëve.

“Me aq mundësi sa kam, kujdesem që ta mbaj ambientin e gjelbëruar. Kemi mbjellë ca lule, ca pemë. E pastroj, e vadis si ta kem bahçen time, që të ketë gjelbërim dhe gjallëri për njerëzit që do ulen këtu e ta shijojnë”, thotë Andrea.

Ai ka dhe një kërkesë për shërbimin e Komunales për të mbjellë brenda mundësive 3 pemë, për të cilat kujdesi pa diskutim nuk do të mungojë rregullisht nga duart e tij.

Andrea përpiqet që t’iu përcjellë një mesazh të rinjve që të ndërgjegjësohen dhe të kujdesen e ta duan natyrën.

Një nga banorët e moshuar që i bashkohet tavolinës që Andrea ka vendosur për t’u mbledhur me fqinjët, është Kristo Bello. Ai ka vizituar shpesh Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku siç thotë, ka gjelbërim pa fund, dhe i bashkohet kërkesës së Andreas për të mbjellë disa pemë në këtë lulishte, pasi këtij brezi iu bëjnë mirë hapësirat e gjelbra. 

S.L.