5 mars 2015 – Akuzat e Tom Doshit kanë sjellë përplasje të ashpra në Kuvend, ku Partia Demokratike i ka kërkuar kryeparlamentarit Ilir Meta të dorëhiqet nga ky post dhe t’i dorëzohet drejtësisë për të hetuar dyshimet mbi skenarin e vrasjeve politike të pretenduara nga Tom Doshi.
Fillimisht, ka qenë Edi Paloka ai i cili i ka kërkuar Metës në sallën e Kuvendit, që të japë dorëheqjen dhe të paraqitet para drejtësisë.
"Nuk duhet ta kishe marrë kurajon të uleshe në atë karrige. Kupola e mafias është në krye të Kuvendit", është shprehur Paloka.
Sipas tij, Meta duhet të paraqitet para drejtësisë dhe nëse del i pafajshëm atëherë të kthehet aty ku është. Ndërsa, Meta është përgjigjur ironikisht duke thënë që nuk e kupton kërkesën e demokratëve.
“Ju keni bërë një kërkesë për shkarkim, mblidheni Këshillin e Legjislacionit. Tjetër gjë nuk bëj dot".
Tensionet në seancë u shtuan, kur kryeparlamentari kërkoi të vijonte punimet sipas rendit, dhe menjëherë pas kësaj deputetët e opozitës u ngritën në këmbë dhe rrethuan foltoren e Kuvendit. Në këtë situatë, Meta njoftoi një ndërprerje të punimeve.
Më pas, fjalën e ka marrë ish-kreu i PD-së Sali Berisha, ku pas tij dhe foltores së Parlamentit, qëndronin në këmbë deputetët e tjerë të opozitës. Por, jo të gjithë e bënë këtë veprim, madje kishte dhe nga ata që nuk qëndruan as në këmbë gjatë kohës që fliste Berisha, si Astrit Patozi dhe Mesila Doda.
Ish-Kryeministri Berisha kërkoi nga Meta që të japë dorëheqjen dhe të paraqitet para drejtësisë.
"Kisha denoncuar tentativën për eliminim ndaj Tom Doshit. Unë kisha dijeni 3 muaj më parë që vrasjen Meta do ma faturonte mua. Kjo është rruga më paqësore, në interes të çdo shqiptari. Për ne, sa më gjatë ta mbani aq më shumë do të kundërmojë. Jep dorëheqjen sa më parë", tha Berisha.
Ndërsa Meta iu kundërpërgjigj: “Jepini ilaçet doktorit se nuk është mirë. Unë për ty e jepja dorëheqjen, por për Shkëlzen Berishën dhe Dritan Priftin nuk e bëj të njëjtin veprim dy herë. Ti je i vetmi që beson më shumë te Toma, se sa te Prokuroria", ka deklaruar Meta në sallën e Kuvendit.
/s.l. agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





