Teuta është duke e vlerësuar në maksimum gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë që do të luajë në mesjavë me Laçin në “Niko Dovana”. Një duel i fortë, por durrsakët nuk do ta kenë të lehtë, duke parë edhe që përballë kanë një ekip të mirë. Tashmë, “djemtë e detit”, pasi kanë siguruar fitoren në kampionat, duan që ta mbyllin me sukses edhe në Kupë. Lojtari i Teutës, Ergys Peposhi, shprehet se ekipi ka pasur kohën e mjaftueshme për të përgatitur ndeshjen me Laçin.

Pas disa ditësh përgatitje, a është gati Teuta për të zbritur në fushë?

Ne jemi gati në çdo moment sepse jetojmë çdo ditë në këtë mënyrë duke u stërvitur duke mbajtur regjim duke iu përkushtuar futbollit. Kjo ka qenë periudhë shumë e rëndësishme dhe e dobishme, sepse po e përgatisim me qetësi takimin e parë gjysmëfinal ndaj Laçit. Jemi duke u përgatitur në maksimum dhe mezi e presim ndeshjen.

Të mërkurën prisni Laçin, si e parashikon si ndeshje?

Jemi gati për përballjen ndaj Laçit. Kjo ndeshje mendoj se ka ardhur në momentin e duhur. Kam bindjen se ndaj Laçit, Teuta do të arrijë të marrë rezultat pozitiv e të jemi në ritëm edhe për ndeshjen e kampionatit. Për ne, kjo është “finalja” e sezonit, ndaj dhe nuk kemi asnjë alternativë tjetër përveç fitores.

Një skuadër e plagosur si Laçi mund t’i bëjë keq Teutës?

Unë mendoj për skuadrën time dhe të përgatitemi sa më mirë. Do t’i respektojmë shumë kundërshtarët për atë që përfaqësojnë. Jemi të përqendruar vetëm te skuadra jonë, sepse në këtë ndeshje ndikojnë faktorë të ndryshëm.

Duke qenë se është ndeshje Kupe, do të ishit i kënaqur me një fitore 1-0 apo edhe me një barazim pa pësuar gol?

Unë do të isha i kënaqur të bënim një ndeshje të mirë dhe të fitonim, nuk ka rëndësi se me sa gola, por patjetër që Kupa ka specifikën e saj, por mendoj që më e rëndësishme është fitorja. Normale që gjëja më e mirë do të ishte sikur të fitojmë pa pësuar gol, por në futboll ndodhë edhe të pësosh, është edhe një takim tjetër që do të luhet pas këtij kështu që ke dhe një shans për te rikuperuar çdo lloj rezultati.

Do t’ju kënaqte një barazim këtë herë?

Dua të them që përgjatë 90 minutave do të japim gjithçka për të marrë maksimumin. Të gjithë duhet të tregojmë atë çka kemi punuar deri tani dhe ka ardhur momenti për të treguar fytyrën tonë të vërtetë në një ndeshje kaq decizive si kjo ndaj Laçit. Janë edhe 11 ndeshje në kampionat, ku duhet të marrim maksimumin në çdo sfidë, pasi futbolli ka të papritura, ndaj duhet të kemi përqendrim maksimal deri sa të arrijmë objektivin që kemi.

Sa ju ka vlejtur kjo pauzë 10-ditore?

Pikërisht kjo pauzë na vlejti për ne lojtarët që të jemi më në formë, por edhe për ndonjë lojtar që mund të këtë pasur probleme dhe të rikuperohen dhe mendoj që deri diku ka shkuar mirë.